Meditime (61)

Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit...

Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit…

Ditën e sotme, 8 shtator 2021, bashkë me mikun tim të zemrës, shkrimtarin Xhahid Bushati dhe shokun e studimeve, teologun dhe thirrësin islam Lavdrim Hamja, diskutuam për librat, botimet e reja, studimet dhe botën e librit.

Është padyshim një hise elitare në pozitat e një rituali të heshtur e që vetvetiu përkufizon takimet, këshillimet dhe bashkëbisedimet tona të shpeshta.

Më 26 tetor 1966, Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara, në sesionin e 14-të të Konferencës së Përgjithshme të saj (ndryshe, UNESCO), shpalli 8 shtatorin e çdo viti si Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit dhe që u festua për herë të parë më 8 shtator 1967, në atë vit të zymtë, kur politika e vendit tim damkosi me vulën e ateizmit dhe luftës kundër besimit e fesë, Shqipërinë, mjerisht..!

Kjo datë, më solli në hatër një ndër kryeveprat e dijetarit dhe eruditit të shquar sirian, Shejkh Abdulfetah Ebu Gudeh (1336-1417), që titullohet: “Vlera e kohës tek dijetarët”.

Në botimin e 10-të të kësaj vepre, Bejrut, 2002, autori shpjegon me detaje konceptin e kohës dhe shfrytëzimit të saj në Kuran, në fjalët e Hz. Muhamedit (paqja qoftë mbi të) dhe në gjurmët e dijetarëve të shquar muslimanë përgjatë historisë.

Ai shënon se: “Koha është kapital i kërkuesve të dijes dhe i dijetarëve” – (f.11), sikurse thekson se: “Koha është jeta e vetë jetës, mejdan i ekzistencës së njeriut, hapësira e hijes, qëndrimit, dobisë dhe përfitimit të tij!” – (f. 17)

Na mëson, siç kanë këshilluar të parët se: “Koha është si shpata, po s’e preve, të pret!”, si dhe: “Prej shenjave të hidhërimit të Zotit ndaj teje, është edhe humbja e kohës!” – (f. 24)

Nga këtu, tingullon mrekullueshëm fjala e tabiiut (brezi që pason brezin e sahabëve të Resulullahut) Amr ibn Abdikajs, kur dikush i tha: “Ndalu pak të flasim”, e ai ia ktheu: “Ndaloje diellin!” – (f. 26)

Kohë para tij, sahabiu i ditur, Hz. Abdullah ibm Mesudi (r.a) thoshte: “Nuk jam penduar për gjë në jetë, si për atë ditë, që i ka perënduar dielli, më është afruar exheli e s’kam shtuar punët e mira!” – (f. 27)

Dhe, leximet në shënimet e grumbulluara nga dijetari Ebu Gudeh, rahmet pastë, të marrin për dore drejt disa realiteteve, ku sheh dhe prek prej afër shembullin e dijetarëve muslimanë, të cilët, me përkushtimin e tyre ndaj kohës, leximit e shkrimit, bënë mrekulli të gjalla, duke na lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, gati-gati të pabesueshme, porse reale dhe ende e gjallë në vëllimet e panumërta që mbushin librotekat tona.

Ja dy shembuj:

1) Zotëria dhe mbreti i hafizëve, hoxha i muhadithëve, Jahja ibn Maini, që lindi në vitin 158 h. në Bagdad. I ati i la trashëgim një milion derhemë, të cilat i shpenzoi në kërkimin e hadithit, aq sa nuk i mbetën as një palë shapka për t’i veshur! – (f. 34)

Ali ibnul-Medini thoshte për të: “Nuk kam parë ndër njerëz, si ai! As nuk dijmë njeri, që nga koha e Ademit, të ketë shkruar nga hadithi, sa ka shkruar Jahja ibn Maini!

Ndërsa Merveziu thoshte: “E kam dëgjuar Jahja ibn Mainin që thoshte: Kam shkruar me dorën time një milion hadithe!” – (f. 35)

(Autori shpjegon me këtë rast se: “Muhadithët e konsiderojnë çdo lajm a fjalë të Resulullahut (a.s), a fjalë të sahablve, a të tabiive, a tefsir i termave të huaj, a fjalëve të panjohura, a të ngjashme, nëse ato transmetohen me zhinxhir, si hadithe. Ky numër (një milion), këtë kuptim ka!” – (f. 35)

Jahja ibn Maini ndërroi jetë në vitin 233 dhe u varros në Bakia. Fisi Hashim i nxorën shtratin mbi të cilin ishte larë trupi i Resulullahut (a.s), dhe mbi të u la. Kur ai vdiq, njerëzit thonin: “Ky është ai që largonte gënjeshtrën nga Resulullahu!” – (f. 37)

2) Imam Ibn Xherir Et-Taberi, hoxha i mufesirëve, muhadithëve dhe historianëve, imam i madh muxhtehid, i cili ishte një ajet prej ajeteve të përfitimit nga koha dhe shfrytëzimi i saj, aq sa veprat e tij – me krejt spikatjen dhe përsosmërinë e tyre -, arritën në një numër të habitshëm!

Jakut Hameviu në jetëshkrimin e Imam Taberiut, shkruan 56 faqe. Ndërsa Hatib Bagdadiu në veprën e tij: “Historia e Bagdadit”, shënon, se: “… Imam Taberiu iu drejtua studentëve të tij: A jeni të zellshëm të shkruani tefsirin e Kuranit? E pyetën: Sa është përmasa e tij? Tha: Tridhjetë mijë fletë! Thanë: Me këtë përmasë, na shkon jeta para se ta sosim! Ai e përmblodhi në rreth tremijë fletë dhe ia diktoi atyre për shtatë vite, nga viti 283 deri në vitin 290…” – (f. 41-42)

Hatib Bagdadiu vazhdon: “Kam dëgjuar Es-Simsimiun që thoshte se Ibn Xheriri qëndroi dyzet vite duke shkruar çdo ditë nga dyzet fletë!” – (f. 43)

Vetëm dy veprat e tij të shquara: “Historia” dhe “Tefsiri”, janë të botuara sot, i pari në 11 vëllime me përmasa të mëdha, ndërsa i dyti në 30 vëllime me përmasa të mëdha! – (f. 43)

Pastaj, autori shton: “Përllogarit pastaj pjesën e mbetur të fletëve të veprave të tij, që është 351 mijë fletë, për të mësuar sesa arrijnë veprat e këtij imami, që konsiderohej si një kompleks shkencor plot arte , dhe si një shtëpi botuese përsa i përket shumësisë së botimeve të tij!…” – (f. 43-44)

Dhe, siç thotë Imam Ibnul-Xheuzi: “Libri i dijetarit është fëmija i tij përjetësues!” – (f.45)

Nuk deshta të zgjatem më shumë në këtë temë, porse qëllimi i këtyre rreshtave është te madhështia e Islamit në nxitjen e njeriut për të mësuar shkrim e lexim, për të shfrytëzuar kohën e për të lënë gjurmë qytetëruese për të mirën e njerëzimit!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 8 shtator 2021