Meditime (65)

"Edhe lajmëtari i Allahut, Davudi..!"

"Edhe lajmëtari i Allahut, Davudi..!"

“Edhe lajmëtari i Allahut, Davudi..!”

Ka thënë i Dërguari i Allahut, Hz. Muhamedi (paqja qoftë mbi të): “Të marrë ndonjëri prej jush një litar dhe të vijë me një krah dru mbi shpinë për t’i shitur, duke ia ruajtur Allahu fytyrën e tij, është më mirë sesa të lypë prej njerëzve; i dhanë a e dëbuan!”.

Sa e thellë është kjo këshillë, që e lexoj me vëmendje, duke vëzhguar nëpërmjet rreshtave të saj nxitjen që Islami i bën individit musliman për të punuar e jetuar me dinjitet, jo si parazit e barrë mbi kurrizin e familjes, shoqërisë e institucioneve!

Islami është fé e punës së ndershme e të pastër, që sjell dobi dhe që e lartëson njeriun në shkallët e përkushtimit të kërkuar, bamirësisë së sinqertë, altruizmit e ndihmesës ndaj familjarëve, nevojtarëve, shoqërisë.

Fakti që në Kuran janë përmendur shumë pejgamberë, të cilët janë shquar edhe për zanate të caktuara dhe janë angazhuar me punë nga më të ndryshmet, si: metalpunues, zdrukthëtar, çoban, ndërtues, administrator i ekonomisë e deri tek udhëheqës i shtetit, do të thotë se Islami na fton ta shfrytëzojmë kohën e të punojmë me krejt aftësitë që na janë dhënë e ato që kemi fituar, në kërkim të përsosmërisë në atë punë që bëjmë, në kërkim të rizkut hallall e nëpërmjet tij, të pëlqimit të Allahut të Madhëruar për jetën tonë, për të qenë secili ndërtues e kontribues për të mirën e zhvillimin shoqëror.

Të jetuarit në kurriz të tjetrit, humbja e kohës, qoftë edhe duke qëndruar në xhami, në një kohë jashtë namazeve të përcaktuara, dembelizmi, zgjimi nga gjumi pas lindjes së diellit, mungesa e korrektësisë në punë, mungesa e përgjegjësisë në raportet hallall-haram në punën që kryejmë, kopracia, zemra e ngushtë, mungesa e vullnetit etj., nuk përputhen me frymën e Kuranit dhe shembullin e Resulullahut (a.s.) në jetë!

Përndryshe, si ta lexojmë domethënien e fjalës së madhe: “Nuk ka ngrënë njeri ushqim më të mirë se ai i fituar nga puna e dorës së tij! Edhe lajmëtari i Allahut, Davudi, ushqehej nga puna e dorës së tij!”, me të cilën Resulullahu (a.s) na nxit drejt punës, edhe po të jetë ndonjëri prej nesh mbret, si Davudi (a.s)!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 17 shtator 2019 – 2021