Rahmet pastë Hoxha, sa i mirë dhe i pashembullt që ishte..!

Më kujtohet si sot letra e parë që më dërgonte Hoxha (rahmet pastë), nga Dubai i Emirateve, në një kohë, kur sapo kisha mbushur muajin e parë si student në Damaskun e shtrenjtë, vendlindjen time të shpirtit… Ishin ditët e para të vjeshtës së vitit 1993… Era e vjeshtës në Damask, mban erë jaseminë, aroma e së cilës përngjet me fllade shekujsh, që nuk e humbin kurrë besën dhe Dritën e Amaneteve të atyre që kaluan në amshim…

Asokohe, kushtet e jetesës në konviktin e shkollës ishin minimale, ndonëse ato ditë nuk peshohen me ar e florinj në zemrën dhe mendjen time. Janë strukur diku në tabanin e nostalgjive të shtrenjta, që ruhen me fanatizëm në regjistrat e kujtesës…

Një telefonatë nga prindët, një letër me postë a një tregtar i mundshëm, që mund të vinte, të na sillte sadopak erën e Shkodërloces, ishin jo vetëm ngushëllim, por oksigjen, që të mbushte shpirtin, jo vetëm mushkëritë, forcë e mbështetje për të vazhduar një rrugë të gjatë, që sapo kishte nisur…

Ato ditë të para në Damask, ishin vendimtare për të ardhmen e gjatë… Në gjirin e tyre përpëliteshin dhe dyluftonin mendime dhe ide, analiza e përplasje të forta, që do të kishin ndikimin e tyre në forcimin e qëllimit, a dobësimin e tij…

Ato ditë, studentët e rinj ngjanin më shumë me gjethen dhe botën e saj, sesa me çdo gjë tjetër… Ndonjëra prej tyre, sidomos ato të pranverës, vetëm se rriten e forcohen, të kapura fort pas kërcellit; nuk ka erë a furtunë t’i thyejë a t’i këpusë në rrugëtimin e tyre drejt rritjes dhe zhvillimit… Ndonjë tjetër, ngjan me ato të vjeshtës; të zverdhura, të rrudhura, të dobëta, të thata, të gatshme për të rënë me lëkundjen e parë, me frymën e parë…

Desht Zoti, që kushtet e jetesës në botën e re studentore, largësia dhe malli, por edhe shumë faktorë të tjerë, të mos e thanin lëndën e jetës, oksigjenin dhe ngjyrën e formës, që na bënë (mua dhe shumë shokëve të mi) të jemi, këta që jemi, sot e mot, me mbarësinë dhe përkujdesjen e Tij, i qofshim falë..!

Letra e parë e Hoxhës erdhi si balsam, si shërim, tamam në kohën e duhur. Përmbante shumë këshilla, udhëzime, mbështetje, kurajo dhe.., një titull libri…

Hoxha më këshillonte të blej të parin libër, veprën e madhe të dijetarit të shquar Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh (1336 h. – 1417 h.), titulluar: “Safahatun min sabril-ulema”, (në shqip: “Fletë nga durimi i dijetarëve”)… Këshilla e tij ishte të lexoja durimin e të parëve, që kishin nisur këtë rrugë, sakrificën, heshtjen, vetëpërmbajtjen, por jo vetëm…

Asokohe, libri në fjalë ishte i ndaluar në Damask. Pas shumë kohësh e përpjekjesh arrita ta blej e ta posedoj, si një pasuri e shtuar në bibliotekën time.

E mora sërish në dorë, mëngjesin e kësaj dite. Vazhdimisht e shfletoj këtë libër. Ka një forcë tërheqëse të pashpjegueshme, kjo vepër…

Subhanallah, ky libër mbi 500 faqe, (i formatit të veprave voluminoze), përherë rrezaton nurin e këshillës së Hoxhës, madhështinë diturore të autorit, kujtimin e mirë të Mësuesit të tyre të përbashkët, Shejkh Muhammed Zahid El-Keutheri, gjurmët e të cilit kalojnë aty-këtu, në faqet e kësaj vepre, si shenja e prekje bekuese…

Lexova vuajtjet dhe durimin e autorit, kur ishte student në El-Ez’her, ato të Mësuesit të tij, dikur në Damask, por jo vetëm… Ngjarje reale, që ia vlen të sillen në shqip e të lexohen, sidomos nga studentët e sinqertë e të vendosur të kësaj rruge diturie…

Ky libër është një kryevepër, që i duhet bibliotekës së librit islam në gjuhën shqipe! Absolutisht, i duhet..!

Për një moment, u ndala tek një dëshmi e Imamit tonë, Ebu Hanife (r.a), që, si për të përligjur tërë këtë punë të madhe të mbledhur në këtë vepër; shembuj pafund e ngjarje reale nga jeta e dijetarëve të shquar të ymetit tonë, thoshte shumë shekuj më parë: “Tregimet nga jeta e dijetarëve dhe shembulli i tyre, janë më të dashura për mua se shumë çështje të fikhut! Sepse aty gjendet edukata dhe mirësjellja e tyre!”…

Në fund të leximit, mora frymë thellë dhe u luta: Rahmet pastë Hoxha i dashur, Shejkh Vehbi S. Gavoçi.., sa i mirë dhe i pashembullt që ishte! Rahmet pastë Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, eruditi i pashoq i shekullit që kaloi! Rahmet pastë Hoxha i tyre, Shejkh Muhammed Zahid El-Keutheri, zëvendësi i Shejkhul-Islamit të fundit të Hilafetit Osman…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 27 mars 2016