“Thuaji Sulejmanit të jetë me Mua, siç ishe ti me Mua!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të Vetëm të gjithësisë, që na jep sihariq në Kur’anin Famëlartë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit.”

Të gjitha salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz, Muhammedit (a.s), për të cilin transmeton Ubade ibni Samit (r.a), se: “Profeti (a.s) doli të na lajmëronte për Natën e Kadrit, kur pa dy burra prej muslimanëve, që po grindeshin në mes vete. Tha (a.s): “Dola t’ju lajmëroj për Natën e Kadrit, kur filani dhe filani u grindën në mes vete dhe lajmi i saj u largua. Ndoshta është më mirë për ju, kërkojeni atë në të nëntën, të shtatën dhe të pestën”

Të dashur e të nderuar të pranishëm,

Hytben e sotme dua ta ndërtoj mbi këto dy fragmente shumë delikate, nga mësimet dhe udhëzimet e Natës së Kadrit.

Së pari: Në tefsirin e tij, Imam Fekhruddin Razi, teksa shpjegon me detaje mirësitë e sures së Kadrit, tregon se Ebu Bekr El-Verraku thoshte: “Është quajtur “Nata e Kadrit”, sepse në të ka zbritur një Libër me peshë, në gjuhën e një meleku me peshë, në një ymmet me peshë…”

Së dyti: Hadithi i lartcituar na tërheq vëmendjen se fryma e ndasive, përçarjes, dashakeqësisë, cytjes, urrejtjes, smirës, grindjes e të ngjashme në mesin e muslimanëve, e largon begatinë nga mesi i tyre dhe e dobëson forcën e unitetit të tyre.

Pyetja që del vetvetiu në këtë rast është: A është ymmeti islam sot ymmet me peshë në skenën e shoqërive botërore? A jeton ymmeti islam sot, mirësitë dhe begatitë e unitetit, pastërtisë së zemrës ndaj njëri-tjetrit? A është ymmeti islam sot, diktues në politikat globale?

Besoj, se gjithësecili prej nesh duhet të shohë brenda vetes së tij, për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Shihni përreth jush, në Shkodër, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në çdo trevë shqiptare. Sa peshë kanë muslimanët në realitetet e qyteteve dhe vendeve përkatëse?

Ejani ta ngushtojmë rrethin: Sa është ndjerë atmosfera e Ramazanit në qytetet tona sivjet, në sheshet me tavolina alkooli e muzikë pa limit, në trotuaret plot zhveshje, ekstravagancë e humbje kohe, në fjalorin banal të shumë të rinjve krejtësisht të hutuar, në mosvlerësimin e shpirtit të Ramazanit në shitblereje, në restorante, por jo vetëm!? Nëse ne nuk krijojmë traditat tona, që na i udhëzon jeta fetare dhe identiteti islam, mos të presim të na i servirin të tjerët për sy e faqe!

Të dashurit e mi,

Ka ardhur koha që gjithësecili prej nesh të kuptojë si duhet, se nuk kemi gjë më të shtrenjtë e më të shenjtë në jetë se fenë tonë dhe, se nuk kemi njeri më afër, më shumë se njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera, pa arritur në gradën e përjetimit të frymës “muslimani për muslimanin, si dora për dorën”, ne vetëm se humbim kohë me predikime e ligjërata artificiale, që nuk ndërtojnë, por qarkullojnë në rrethin e rutinës!

Të dashurit e mi,

Më lejoni të ndalem në një detaj tjetër të kësaj Nate, që përmendet në Kur’anin Famëlartë: “Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) zbresin melekët dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.”

Në tefsirin e tij të kësaj sureje, Imam Razi sjell një transmetim të gjatë, ku thuhet, se: “Natën e Kadrit, bashkë me Xhibrilin, zbresin melekë (pa fund), saqë nuk mbetet vend në tokë pa ndonjë melek në sexhde, ose në këmbë, duke u lutur për besimtarët dhe besimtaret. Ndërsa Xhibrili, nuk le njeri pa i shtrënguar dorën. Dhe shenjat e këtij takimi janë rrënqethja e trupit, emocioni i zemrës dhe loti i syrit. Këto janë nga përshëndetja e Xhibrilit.

Kushdo që thotë tre herë: La ilahe il-lall-llah, do t’i falen gjynahet për të parën, do të shpëtojë nga zjarri me të dytën dhe do të hyjë në xhennet me të tretën.

Pastaj, i pari që ngjitet është Xhibrili, derisa del përpara diellit dhe hap dy krahë të gjelbërt… Pastaj thërreth të gjithë melekët, të gjithë ngjiten lart dhe mblidhet nuri i melekëve dhe nuri i Xhibrilit (a.s). Atë ditë, Xhibrili dhe krejt melekët e pranishëm me të, qëndrojnë ndërmjet diellit dhe dunjasë, të angazhuar me lutje, mëshirë dhe kërkim faljeje për besimtarët dhe për këdo që ka agjëruar me bindje. Në mbrëmje, ngjiten në qiellin e dunjasë dhe ulen hallka-hallka. Përreth tyre mblidhen melekët e dunjasë dhe i pyesin për çdo burrë e çdo grua, saqë pyesin: Çfarë bënte filani, si e gjetët? I thonë: E gjetëm vitin që shkoi në adhurim, këtë vit në devijim! Ndërsa filani, vitin që shkoi ishte në devijim, këtë vit e gjetëm në adhurim!

Ata e ndalin lutjen për të parin dhe luten shumë për të dytin.

Pastaj, melekët e ardhur nga toka vazhdojnë: E gjetëm filanin duke lexuar Kur’an, filanin në ruku, filanin në sexhde… Kështu, derisa ngjiten në qiellin e dytë, po kështu në çdo qiell, derisa shkojnë në Sidretul-Munteha.

Sidreja i pyet: O banorët e mi, më tregoni për njerëzit, sepse kam hak në ju dhe, e dua atë që e do All-llahun!”

Transmetuesi i këtij lajmi të jashtëzakonshëm, Ka’bi (r.a), tregon se ata ia numërojnë Sidres emrat e çdo burri dhe gruaje me emrat e baballarëve të tyre, derisa lajmi mbërrin tek xhenneti, që lutet: “All-llahumme shpejtoje ardhjen e tyre tek unë”, ndërsa melekët dhe Sidreja thonë: “Amin, amin!”

Të dashurit e mi,

Nata e Kadrit është një mundësi për t’u penduar dhe për të lidhur një besë të re me All-llahun e Madhëruar, duke hequr dorë nga arroganca, epshet, nervozizmi, gënjeshtra, mashtrimi, fjalët pa kufi, thashethemet cytëse për keq, paragjykimi, neglizhenca ndaj namazit, mosleximi i Kur’anit, mosfalja e syneteve, mospraktikimi i syneteve profetike deri në detajet më të vogla të përditshmërisë tonë etj.

Nata e Kadrit është një mundësi e madhe për të nxitur veten për të jetuar me shpalljen e vjetër hyjnore: “Thuaji Sulejmanit të jetë me Mua, siç ishe ti me Mua!”, kur Hz. Davudi (a.s), në shtratin e vdekjes, iu lut All-llahut të Madhëruar: “O Zoti im, ji për Sulejmanin, siç ishe për mua!”

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 korrik 2016

(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e Parrucës, me rastin e Natës së Kadrit)