ILAHI ENTE MAKSUDI VE RIDAKE MATLUBI..!

ILAHI ENTE MAKSUDI VE RIDAKE MATLUBI..!

ILAHI ENTE MAKSUDI VE RIDAKE MATLUBI..!

Mbi mihrabin e xhamisë së madhe të shkollës sime të jetës, shkruhej me të madhe një fjali. Nuk ishte as ajet kur’anor, as hadith sherif. Ishte dhe mbeti urtësi mbi urtësitë, ajkë e mendimit të rafinuar fetar dhe intelektual, rrezatim udhëzimi i niveleve të larta shpirtërore dhe pastërtisë së nijeteve të zemrave të dorëzuara para kaderit të Krijuesit!

“Ilahi ente maksudi ve ridake matlubi”, që në shqip tingëllon: “Zoti im Ti je qëllimi im, pëlqimi Yt është kërkesa ime!”

Merreni dhe shkruajeni me të madhe këtë fjali, a në daçi mos e shkruani fare. Thjeshtë meditoni paksa rreth saj dhe përpiquni t’i bëni vend në zemër; do ju vlejë e do ju dritësojë jetën! Do ju falë paqe e qetësi, do ju zgjidhë shumë ngërçe të momentit, dilema e pasiguri që krijohen si pasojë e situatave të shpejta e të papritura, që të trazojnë ekuilibrat!

Të paragjykojnë, flasin për ty, të keqkuptojnë, të keqcitojnë, të interpretojnë sipas orekseve provinciale e epsheve mediokre, të fyejnë e të shajnë (kuptohet, pas krahëve se, para syve të shfaqen përherë “melekë” nga qiejtë e lartë), të provokojnë, të bëjnë pjesë të axhendave dhe planeve, pastaj të duan jeniçer a shegert, hyzmeqar a manekin, nëpunës mediokër a epror derdimen, numër prej numrave, a ‘e’ pazane, që shkruhet e nuk shkruhet, që lexohet e nuk lexohet.., çfarë nuk duan e çfarë nuk “prodhojnë”, si “perendi Olimpi” të vetëshpallura..!

Ti, mos e vrit mendjen, as mos e prish humorin e ditës tënde! Mos dysho asnjëherë te zemra jote dhe drita e Zotit brenda saj; ushqeje sa më shumë atë me këtë thirrje të heshtur shpirtrash fisnikë: “ILAHI ENTE MAKSUDI VE RIDAKE MATLUBI” dhe lëre botën në punë të vet!

Dhe, siç thotë edhe poeti i urtë:

Këndomë me emrin e Atij që dua,

Dhe lëre gjithë botën të më godasë,

S’më lëndon, edhe në zemër po më ra,

Asgjë me emrin e Tij, s’mund të më vrasë!

Me pak fjalë, mos u trazo dhe jeto jetën tënde, kaderin tënd, rizkun tënd, sprovat e tua dhe sfidat e jetës, mbështetur në pragun e dashnisë së Tij… Të tjerat janë impulse të vdekura që dritë s’bëjnë, mor bir..!

Imam Muhamed B. Sytari