“Dije se All-llahu nuk e çon dëm shpërblimin e bamirësve!”

“Tregohet se një person i shërbeu nënës së tij të moshuar për nëntë vite radhazi, derisa nisi të ngushtohej, pastaj mori të ankohej, pastaj bërtiste, derisa zërin e tij e dëgjonin edhe komshinjtë…

Nuk kaloi shumë dhe mblodhi vëllezërit e tij, të ciëve iu drejtua në formë të prerë: “Kjo është nëna ime dhe nëna juaj, po nuk e morët do të bëj kështu e ashtu!!!”

Të imponuar dhe nën presion, vëllezërit morën nënën e tyre… Të nesërmen, ajo ndërroi jetë tek njëri prej të bijve…

Për një ditë të vetme, e çoi dëm krejt punën e tij, e shumëzoi me zero!

NJË RAST TJETËR…

Është një person që e njoh mirë, kujdesej për një vejushë të thyer në moshë. I shërbeu për njëzet vite me radhë. Pastaj, u transferua me familjen e tij në një lagje të largët. Çdo ditë vinte në këmbë nga vendbanimi i ri, për t’i pastruar shtëpinë, për t’i përgatitur ushqimin dhe për t’i shërbyer plakës së vetmuar… Kjo gjëndje krijoi shqetësim në familjen e tij, që i thonin: “Deri kur kështu? A nuk është dikush tjetër që t’i shërbejë asaj plake?” …

I bënë shumë presion, por kur panë vendosmërinë e tij për t’i shërbyer asaj çdo ditë, u tërhoqën dhe i thanë: “Sille në shtëpi dhe shërbeji këtu!” Ai ua ktheu: “Shkoni ju dhe ftojeni të vijë tek ne!”

Shkuan, e ftuan dhe erdhi në shtëpinë e tyre. Jetoi edhe dy ditë pastaj ndërroi jetë!

Kjo është historia e veprës së mirë! Kur je i sinqertë dhe sakrifikon nga pasuria jote, nga koha jote, nga shëndeti yt, nga eksperienca jote dhe pozita që ke, dije se All-llahu nuk e çon dëm shpërblimin e bamirësve!”

Këto dy tregime reale, të dëshmuara nga Dr. Ratib Nabulsi, pata dëshirë t’i ndaj sonte me ju, me shpresën e mirë që dikush do t’i lexojë dhe do të ketë dobi!

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 3 korrik 2016