Ne dhe mirësia e Muajit Ramazan…

Ashtu sikurse mjetet motorike, që kanë nevojë herë pas here për kontrolle dhe riparime, ashtu edhe njeriu ka nevojë, që të paktën një herë në vit të bëjë një vetëkontroll, një vetëllogaritje, si një mundësi përmirësimi drejt përsosmërisë së besimit, moralit, adhurimit, ekuilibrave të jetës, që i ofrohet me shumë mëshirë e butësi nga Zoti i gjithësisë nëpërmjet agjërimit të Muajit Ramazan!

Por ne, raca njerëzore, zakonisht i neglizhojmë mundësitë e riparimit të gjërave, mjeteve, orendive, vetvetes. Mendojmë se jemi të përsosur, por gabohemi… Elhamdulilah, Muaji Ramazan është mundësi për ta vënë jetën në shinat e udhëzimit, pas hutimeve dhe neglizhencës së një viti…

Prandaj, të mundohet gjithësecili prej nesh ta ruajë e ta konsolidojë frymën e Ramazanit edhe pas tij, modelin e sjelljes në Ramazan, formën e adhurimit, ndjenjën e bamirësisë, dëshirën për t’u ruajtur e distancuar nga fjalët pa dobi, nga shikimet e ndaluara, nga mendimet e djallëzuara, dëshirën për t’u lartësuar nëpërmjet rrugëtimeve të shumta e të larmishme shpirtërore, leximit në vazhdimësi të Kur’anit, lutjes me përgjërim, optimizmit dhe shpresës në vështrimet karshi jetës, shoqërisë, të sotmes, të ardhmes…

Imam Muhamed B. Sytari

(nga hytbeja e xhumasë,
më 8 korrik 2016 në xhaminë e Plumbit.)