Në një bashkëbisedim televiziv, gazetari e pyet të ftuarin e tij, thirrësin e afirmuar islam në rang botëror, Dr. Ratib Nabulsi: I nderuar, ka shumë të rinj muslimanë, djem intelektualë e me diploma në mjekësi, diplomaci, matematikë, inxhinieri etj, që nuk e kanë mundësinë e thellimit në dituritë fetare. Cili është niveli i diturive fetare, që duhet të posedojë sot një i ri musliman intelektual?
Dr. Nabulsi përgjigjet: Parashutisti, në momentin kur lëshohet drejt tokës, nuk ka asnjë njohuri për formën e parashutës; rrumbullake, vezake, katrore etj. Nuk ka asnjë informacion se çfarë përmase janë litarët e saj; të gjatë, shumë të gjatë, të trashë, të hollë, mesatar… Nuk ka shumë njohuri, të cilat, edhe po nuk i mësoi ndonjëherë, nuk i kanë shumë vlerë. Vetëm një njohuri është e detyrueshme për të, po s’e diti atë, ai bie i vdekur në tokë: shtypja e butonit për hapjen e parashutës.
Për këtë, dijetarët kanë vendosur një rregull për kufijtë e detyrueshëm të mësimit të fesë: “Mësimi i asaj që duhet ditur domosdoshmërisht nga feja”
Mjek, inxhinier, jurist, matematicien, fizikant, farmacist, sociolog etj, të gjitha këto specializime e diploma, nuk mjaftojnë në raport me njohjen e Zotit dhe mbërritjen tek e vërteta e besimit dhe fesë. Prandaj dijetarët kanë folur për njohuritë dhe mësimin e asaj që duhet ditur domosdoshmërisht nga feja. Kësisoj, ai që kërkon të vërtetën, duhet ta kërkojë atë nga burimet e saj!
Unë jam njeri i specializuar në fé, po të më sjellësh për të lexuar një elektrokardiogramë (EKG), jam analfabet, nuk arrij ta lexoj. Ndërkohë, kardiologu e merr në dorë dhe fillon të lexojë e të tregojë përmbajtjen e saj, me shumë qartësi dhe profesionalizëm; dobësim i muskulit të zemrës, rrahje të shpejta të zemrës etj.
Ai është profesionist në fushën e tij, unë analfabet, njësoj siç është ai analfabet në fushën time…
Gazetari pyet: Cili është kufiri minimal i njohurive fetare që duhet të ketë secili?
Dr. Nabulsi përgjigjet: Kushtet e besimit, kushtet e Islamit dhe rregullat juridike islame që lidhen me profesionin e tij!
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 28 korrik 2016