Në përkujtim të Hixhretit 1438…

Të nderuar dhe të dashur vëllezërit e mi dhe ju motra të nderuara,

Sonte jemi mbledhur në këtë vend të begatë, me ftesën bujare të Qendrës Islame Shqiptare në Lozanë dhe imamit të saj të nderuar, vëllaut tim Fehim ef. Abazi, për të hedhur dritë mbi vlerat dhe rëndësinë që ka përkujtimi i herëpashershëm i Hixhretit të Resulull-llahut (a.s) nga Meka në Medine, këtu e 1438 vite më parë.

Në pamje të parë Hixhreti është një ngjarje e dhimbshme. Sepse përherë, largimi nga vendlindja, pa e ditur nëse do të kthehesh më apo jo, shoqërohet me dhimbje, nostalgji, mall e lot zemre. Është e shtrenjtë vendlindja. Është e shtrenjtë toka, ku për herë të parë kemi thithur ajrin, ku kemi shkelur e kemi thënë: “Nanë e Babë”, ku balli na ka prekur tokën në sexhde para duarve të All-llahut, ku…

Edhe Hixhreti i Hz. Muhammedit (a.s) ishte mbushur me sakrificë, lodhje, dhimbje dhe një planifikim të detajuar.

Vëllezër dhe motra,

Është shumë e rëndësishme, që secili prej nesh, të ketë një bindje të paluhatshme, se besimi dhe besnikëria ndaj tij, janë shtysat dhe garancitë kryesore të mbarësisë, suksesit, shpërblimit dhe lartësimit në këtë botë, para të përtejmes.

Dera e emigrimit nga Meka në Medine është mbyllur prej shekujsh, por ka mbetur e hapur dera e emigrimit real, që mund ta praktikojë secili prej nesh në jetën e tij, sado gjynahqar të jetë, sado i zhytur në ndikimin e lodhshëm të nefsit të tij dhe epsheve shkatërrimtare.
Dëgjoni me vëmendje këtë hadith, ku Resulull-llahu (a.s) thotë: “Muhaxhir është ai që distancohet nga ajo që ka ndaluar All-llahu” – (Bukhariu, Ebu Davudi dhe Nesaiu)

Ky hadith në të vërtetë, është një thirrje, që na merr për dore për të na lartësuar drejt vlerave më të larta të besimit dhe veshjes me tiparet e tij në jetë. Shembujt janë të shumtë, sidomos nga jeta reale.

Fjala bie, po lexoja para dy ditësh shënimet e njërit prej mësuesve të mi damaskenë. Tregonte për një ngjarje reale të ndodhur para ca kohësh në qytetin e Homsit, në Siri. Burimi i rrëfimit ishte një zotëri i nderuar, që e tregonte me detaje. Homsi i bombarduar dhe i shkatërruar nga lufta…

Personazhi i ngjarjes quhet Memun El-Ak, një shitës dhe ndreqës orësh, në rrugën Ed-Dublan në Homs. Zotëria tregon: “Në shkurt të vitit 2011 shkova në punishten e z. El-Ak dhe lashë në duart e tij orën time të shtrenjtë për ta ndrequr. Pas disa muajsh, në Homs nisën trazirat e dhimbshme në Siri, që vunë në shenjestër tregjet dhe dyqanet e shumta. U dogjën dhe u shkatërruan biznese të shumta. Kaluan mbi katër vite, kur një ditë z. Memuni më takoi në rrugë. Fillimisht nuk e njoha. Pasi m’u prezantua më pyeti: A e do orën tënde? Nuk po e besoja në pyetjen e tij. Pas kaq vitesh dhe halleve që mbuluan vendin, ai më kishte ruajtur orën e shtrenjtë, njësoj siç kishte vepruar me amanetet e tjera të mbetura në punishten e tij, ndonëse kishte humbur thuajse krejt biznesin e tij në ndodhitë e këtyre viteve! Edhe pse, asnjeri nuk do i kërkonte llogari për orën e tij, ai kërkonte, sipas mundësisë për krejt klientët e tij, orët e të cilëve i kishte ruajtur me shumë besnikëri…”
Në fund, zotëria që e rrëfen këtë ngjarje të vërtetë, shton: “Me shokët e Memunit, Siria do të ketë përherë mirësi…”

Ky është modeli, që dua të ndaj sot me ju dhe me veten time. Sepse, krejt ne kemi nevojë të emigrojmë nga veset, nga përtacia, nga padija, nga dëshira e posedimit të asaj që nuk është e jona, drejt moralit, virtyteve, ruajtjes së amanetit, përhapjes së fjalës së mirë, mbjelljes së harmonisë dhe vlerave, me këdo, kudo e përherë!

Ky është modeli, për të cilin kemi nevojë dhe për të cilin ka nevoja mbarë bota e jonë! Njerëz besimtarë, korrektë në zanatet e tyre dhe në jetë, që përpiqen ta mbikqyrin frikën dhe dashninë e All-llahut në jetën e tyre, për ta konvertuar në energji pozitive, që ndërton vlera dhe prodhon paqe sociale!
Sahabët emigruan nga Meka në Medine, pikërisht për këtë qëllim, për të dëshmuar më të mirën e besimit dhe virtyteve të tij në jetë, jo miraditë e kësaj bote pa sens besimi!

Të dashur të pranishëm,

Realitetet e sotme, po luajnë rolin e tyre për frikësimin e njerëzve nga Islami, ku përçudnimi i imazhit të tij, nëpërmjet dhunës, vrasjeve barbare, djegies e terrorit, (me të cilët feja e jonë nuk ka asnjë lidhje, as mund të ketë) po kthehen në një shqetësim global dhe një ftesë për reflektim, sidomos për elitat.

Le të ndalemi pak dhe të lexojmë së bashku:
1. “Musliman është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit janë të shpëtuar krejt muslimanët, ndërsa muhaxhir, është ai që largohet nga ndalesat e All-llahut” – ( Bukhariu dhe Muslimi)
2. “Me të gjitha cilësitë vuloset personaliteti i besimtarit, përveç tradhëtisë dhe gënjeshtrës” – (Ahmedi)
3. “Ruajuni nga paragjykimi, sepse paragjykimi është biseda më gënjeshtare! Mos e spiunoni dhe mos e nxitni për keq njëri-tjetrin! Mos u urreni! Jetoni si vëllezër…” – (Bukhariu dhe Muslimi
4. “… Muslimani është haram për muslimanin; gjaku i tij, pasuria e tij, nderi i tij!” – (Bukhariu) Etj, pa fund.

Kësisoj, le ta dëshmojmë me krenari e dinjitet përkatësinë tonë fetare, nëpërmjet shembullit të jetuar, modelit praktik, duke u bërë thirrës të gjithësisë drejt Islamit të pastër, fesë së All-llahut dhe misionit hyjnor të krejt të dërguarve të Tij!

All-llahu e begatoftë këte tubim dhe e bëftë dëshmi besimi dhe përkushtimi në ditën e gjykimit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Përmbledhje e ligjëratës së mbajtur në Lozanë, më 8.10.2016)