
Mëngjesin e sotëm, teksa shfletoja lajmet e miqve të mi, më tërhoqën vëmendjen shënimet e sinqerta dhe plot ndjenjë, të mikut tim jordanez, Dr. Xhemal Sefrati, i cili ndodhet në një udhëtim thirrjeje në Senegal.
Ja çfarë shkruan, nën titullin: “Senegali, histori, Islam dhe ambicie…“
Gjëra që lanë shenjë në qenien time:
Dashuria e njerëzve për Islamin dhe afrimi i tyre me dijen dhe njerëzit e saj, më bënë të ndjehem optimist se, këto vende, me mbarësinë e All-llahut po rrugëtojnë drejt të mirës…
Në kryeqytetin Dakar, më konkretisht në ishullin Gori, më mbuloi mërzia dhe më dolën lotë të nxehtë, teksa vizitonim atë vend të mjerë, ku kohë më parë mblidheshin njerëz nga mbarë Afrika, për t’i çuar më pas si skllevër në Amerikë…
Kolonizatori zullumqar ka bërë kërdinë në këtë vend, duke shpërndarë kafazë izolimi, sipas peshës dhe forcës së burrave, për burrat si të ishin bagëti, si dhe kafazë për gratë, të ndarë sipas bukurisë dhe fertilitetit…
Më shumë se 20 milionë frymë i morën nga kjo tokë, si skllevër… Ndërkohë, ndër shfaqjet më të neveritshme të padrejtësisë dhe antihumanizmit, është edhe shpërndarja që i bënin pjesëtarëve të një familjeje, çdo pjesëtar në një vend të ndryshëm, me qëllim që të mos kishin asnjë mundësi komunikimi, takimi, a mendimi për t’u bashkuar më në këtë jetë…
Edhe një detaj…
Më treguan se, kur Papa i Vatikanit e vizitoi këtë vend, në vitin 1992, u prek dhe u mërzit shumë. Madje kërkoi ndjesë dhe falje nga populli afrikan. I thanë: “Falim, por nuk harrojmë..!”
Sa i madh je, o popull afrikan… “Falim, por nuk harrojmë..!”
Edhe unë e dua faljen, tolerancën dhe mbylljen e faqeve të errësirës dhe, këtu, në tokën e nipave të Kunta Kintes, diçka mora në qenien time…
Xhemal.
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 2 nëntor 2016