“All-llahu i Madhëruar…” (2)

Dhjetë hadithet e ditës së sotme janë plotësim i haditheve të publikuara ditën që kaloi. Ato kanë të përbashkët faktin se secili prej tyre dëshmon për një urdhëresë hyjnore, cilësim a udhëzim që vjen nga Vetë Zoti i gjithësisë.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me emrin e Madhëruar: “All-llahu…”.

1. “All-llahu i Madhëruar shtrin dorën e Tij gjatë natës, për t’u penduar gjynahqari i ditës, sikurse e shtrin e dorën e Tij gjatë ditës, për t’u penduar gjynahqari i natës, deri ditën kur të lindë dielli nga perëndimi i tij!” – (Hadithi nr. 1844, f. 115. Ahmedi dhe Muslimi, nga Ebu Musa).

2. “All-llahu i Madhëruar i dërgon këtij ymmeti, në kry të njëqind viteve, dikë që t’i përtërijë atij fenë e tij!” – (Hadithi nr. 1845, f. 115. Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, dërgon një a disa njerëz të ditur, që i qartësojnë ymmetit synetin nga bidati, që sjell dituri dhe përkrah njerëzit e saj… Ibn Kethiri ka thënë: “Shumëkush ka pretenduar se imami i tij është i nënkuptuari me këtë hadith, ndërsa mua më duket se në pamje të parë ai përfshin një numër dijetarësh, nga çdo grup e lëmi, qoftë mufesir, muhadith, fakih, gjuhëtar etj…”. Autori (dmth, Imam Sujuti), ka përmendur disa vargje, ku tregon emrat e shumë dijetarëve që janë konsideruar si përtëritës të fesë (muxhedidë), ku shpreson që ai vetë të jetë muxhedidi i shekullit të nëntë hixhri… Ka thënë Ez-Zejn El-Iraki e të tjerë: “Zinxhiri i këtij hadithi është i saktë, sahih” dhe kështu e ka shënuar edhe autori, pra Imam Sujuti” – (vëll. 2, f. 351).

Them (M.S.): Në vargjet e tij, Imam Sujuti përmend si muxhedidë të shekujve të shkuar këta emra të nderuar: Omer ibn Abdulaziz, Imam Shafiiu, Ibn Surejxhi, Imam Eshariu, El-Bakel-lani, El-Esferajini, Imam Gazaliu, Imam Fekhruddin Er-Razi, Ibn Dekik El-Idi, El-Bulkini, sikurse shpreson të jetë ai vetë përtëritësi i shekullit të tij. Dhe, në fund të vargjeve, shkruan se Muxhedidi i fundit do të jetë Hz. Isai (a.s), i cili do të zbresë në tokë si pasues i Hz. Muhammedit (a.s) dhe përtëritës i fesë së tij!

3. “All-llahu i Madhëruar e urren njeriun imoral dhe atë që hiqet si i shthurrur!” – (Hadithi nr. 1853, f. 115. Ahmedi, nga Usama ibn Zejd).

4. “All-llahu i Madhëruar e do ndihmesën e nevojtarit!” – (Hadithi nr. 1863, f. 115. Ibn Asakir, (Ebu Ja’la dhe Dejlemiu, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 2, f. 359), nga Ebu Hurejra).

5. “All-llahu i Madhëruar pëlqen që ta shohë gjurmën e mirësisë së Tij tek robi i Tij!” – (Hadithi nr. 1880, f. 116. Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Ibn Amri).

6. “All-llahu i Madhëruar e do lehtësuesin në shitje, lehtësuesin në blerje, lehtësuesin në gjykim!” – (Hadithi nr. 1885, f. 116. Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

7. “All-llahu i Madhëruar ka pëlqyer për ju tre gjëra dhe nuk i ka pëlqyer tre të tjera! Ka pëlqyer për ju: Ta adhuroni e të mos i bëni shirk asgjë, të kapeni të gjithë pas litarit të All-llahut e të mos përçaheni, si dhe të këshilloni ata, që All-llahu i ka bërë prijësit tuaj! Nuk ka pëlqyer për ju: Thashethemet, pyetjet e shumta dhe shpërdorimin e pasurisë!” – (Hadithi nr. 1908, f. 117. Ahmedi dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra).

8. All-llahu i Madhëruar do të thotë në ditën e kiametit: Ku janë ata që janë dashur për hatrin Tim? Sot, do t’i strehoj nën hijen Time, në një ditë, kur nuk ka hije, pos hijes Sime!” – (Hadithi nr. 1827, f. 118-119. Ahmedi dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, nën hijen e Arshit…” – (vëll. 2, f. 386).

9. “All-llahu i Madhëruar thotë: Unë jam me robin Tim, sado që ai më përmend dhe buzët e tij lëvizin për Mua!” – (Hadithi nr. 1928, f. 119. Ahmedi, Muslimi dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

10. “All-llahu i Madhëruar pret derisa të kalojë një e treta e natës, zbret në qiellin e kësaj bote dhe thërret: “A është dikush që kërkon falje? A ka ndonjë të penduar? A ka ndonjë që lutet?”, derisa të zbardhë agimi!” – (Hadithi nr. 1941, f. 120. Ahmedi dhe Muslimi, nga Ebu Saidi dhe Ebu Hurejra, së bashku).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Me zbritjen, nënkupton zbritje mëshire e butësie, pranim lutjeje e pranim justifikimi.., jo zbritje lëvizjeje.., pra, zbritje metaforike…” – (vëll. 2, f. 394).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 janar 2017