Hadithet e bukura të kësaj dite janë porosi të mrekullueshme nga lajmëtari i All-llahut, i cili na udhëzon drejt më të mirës në marrëdhëniet tona me veten, me Zotin, familjen dhe tjetrin, kushdo qoftë ai.
Dhjetë hadithet e kësaj dite kanë të bëjnë me sjelljen e individit musliman, karakterin e tij, moralin dhe thirrjen e brendshme në raport me shumë detaje të jetës. Janë pa dyshim pika referimi dhe dritë udhëzuese për lexuesin e lidhur pas tyre dhe shembullit që përcjellin.
Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
Hadithet e kësaj dite nisin me fjalën: “Nëse…”.
1. “Nëse ju vjen fisniku i një populli, nderojeni!” – (Hadithi nr. 345, f. 27. Ibn Maxheh, nga Ibn Omeri. Etj.).
2. “Nëse ndonjëri prej jush e do vëllanë e tij, le t’ia bëjë me dije!” – (Hadithi nr. 357, f. 28. Ahmedi, Bukhariu në “El-Edeb”, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga El-Mikdad ibn Meadjekrib. Etj.).
3. “Nëse e jep zekatin e pasurisë tënde, e ke kryer borxhin tënd!” – (Hadithi nr. 371, f. 29. Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).
4. “Nëse All-llahu ia do të mirën një familjeje, vendos butësinë në mes tyre!” – (Hadithi nr. 393, f. 30. Ahmedi, Bukhariu në “Et-Tarikh” dhe Bejhekiu, nga Nana e jonë Aishe).
5. “Nëse burri zgjohet natën dhe zgjon edhe gruan e tij dhe së bashku falin dy rekate, do të shkruhen tek All-llahu prej atyre që i bëjnë shumë dhikër All-llahut!” – (Hadithi nr. 434, f. 32. Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxheh, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra dhe Ebu Saidi, së bashku).
6. “Nëse zgjohet i biri i Ademit (njeriu), të gjitha gjymtyrët i nënshtrohen gjuhës dhe thonë: Kije frikë All-llahun ndër ne, sepse ne shkojmë pas teje; nëse drejtohesh, drejtohemi dhe nëse devijoin, devijojmë!” – (Hadithi nr. 454, f. 34. Tirmidhiu, Ibn Khuzejme dhe Bejhekiu, nga Ebu Saidi).
7. “Nëse ndonjëri prej jush falet imam, le të lehtësojë, sepse në mes tyre është i vogli dhe i madhi, i dobëti, i sëmuri dhe nevojtari! E, nëse falet për veten e tij, le ta zgjasë sa të dojë!” – (Hadithi nr. 490, f. 36. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).
8. “Nëse një person shpenzon për familjen e tij, duke e llogaritur sevapin e tij, do t’i llogaritet si sadeka!” – (Hadithi nr. 498, f. 37. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi dhe Nesaiu, nga Ibn Mesudi).
9. “Nëse dilni nga shtëpitë tuaja natën, mbyllini dyert!” – (Hadithi nr. 577, f. 41. Tabaraniu, nga Vahshiu).
10. “Nëse ftohet ndonjëri prej jush në një sofër, ndërkohë që është agjërueshëm, le të thojë: Unë jam agjërueshëm!” – (Hadithi nr. 608, f. 43. Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 23 janar 2017