“Nëse…” (2)

Dhjetë hadithet e kësaj dite ruajnë linjën e udhëzimeve të ditës që kaloi. Ato janë këshilla të urta dhe largpamëse, që përqendrohen te marrëdhëniet e qëndrueshme në familje, në mesin e dy bashkëshortëve, në shoqëri etj.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Hadithet e kësaj dite nisin me fjalën: “Nëse…”.

1. “Nëse të gëzon e mira e bërë dhe të hidhëron e keqja e bërë, ti je besimtar!” – (Hadithi nr. 677, f. 47. Ahmedi, Ibn Hibbani, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhekiu, nga Ebu Umame).

2. “Nëse burri i jep të pijë ujë gruas së tij, do të shpërblehet!” – (Hadithi nr. 680, f. 48. Bukhariu në “Et-Tarikh” dhe Tabaraniu, nga El-Irbas).

3. “Nëse gruaja fal pesë namazet e saj ditore, agjëron muajin e saj, ruan nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, do të hyjë në xhennet!” – (Hadithi nr. 725, f. 50. Bezzari, nga Enesi. Ahmedi dhe Tabaraniu, nga rrugë të tjera të qartësuara).

4. “Nëse luteni për të vdekurin tuaj, jini të sinqertë në lutje!” – (Hadithi nr. 729, f. 51. Ebu Davudi, Ibn Maxheh dhe Ibn Hibbani, nga Ebu Hurejra).

5. “Nëse agjëron në ndonjë muaj (jashtë Ramazanit), agjëro ditët 13, 14 dhe 15 (hënore)!” – (Hadithi nr. 735, f. 51. Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Hibbani, nga Ebu Dherri).

6. “Nëse ke vepruar ndonjë të keqe, pasoje me një të mirë!” – (Hadithi nr. 764, f. 53. Ahmedi, nga Ebu Dherri).

7. “Nëse zemërohet ndonjëri prej jush, teksa është në këmbë, le të ulet e, nëse nuk i kalon zemërimi, le të shtrihet!” – (Hadithi nr. 769, f. 53. Ahmedi, Ebu Davudi dhe Ibn Hibbani, nga Ebu Dherri).

8. “Nëse i biri i Ademit e lexon suren “Sexhde” dhe bën sexhden e saj, shejtani largohet prej tij dhe qan. Thotë: Mjerë për mua, u urdhërua i biri i Ademit për sexhde, e bëri atë dhe do të hyjë në xhennet, ndërkohë që unë u urdhërova për sexhde, nuk u binda dhe do të jem në zjarr!” – (Hadithi nr. 791, f. 55. Ahmedi, Muslimi dhe Ibn Maxhe, nga Ebu Hurejra).

9. “Nëse ndonjëri prej jush e kryen haxhin e tij, le të shpejtojë për t’u kthyer tek familja e tij, sepse kjo ka më shpërblim për të!” – (Hadithi nr. 798, f. 55. Hakimi dhe Bejhekiu, nga Nana e jonë Aishe).

10. “Nëse njeriu gënjen një gënjeshtër, meleku largohet prej tij në distancë një milje, nga fëlliqësia e veprimit të tij!” – (Hadithi nr. 840, f. 58. Tirmidhiu dhe Ebu Nuajmi, nga Ebu Hurejra).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 24 janar 2017