“Njeriu me më shumë gjynahe në ditën e kiametit…!”

Dhjetë hadithet e sotme vijojnë në logjikën e publikimit të një dite më parë, duke na ofruar akoma edhe më shumë tipare, cilësi dhe elementë të spikatur në jetën e besimtarit të përsosur.

Ato janë nxitje nga lajmëtari i All-llahut, drejt realizimit të tyre dhe kthimit në veti personale a tradita familjare e shoqërore.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

1. “Besimtarët më të spikatur janë të përsosurit në mirësjellje!” – (Hadithi nr. 1293, f. 81. Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga Ibn Omeri).

2. “Lexoje Kur’anin në çdo muaj, lexoje atë në njëzet netë, lexoje në dhjetë, lexoje në shtatë dhe mos shto përtej kësaj!” – (Hadithi nr. 1329, f. 83. Bukhariu dhe Ebu Davudi, nga Ibn Omeri).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “… Sepse lexuesi i tij duhet të meditojë rreth kuptimeve të tij, urdhëresave, ndalesave, premtimeve, paralajmërimeve dhe, meditimi i krejt kësaj nuk realizohet në më pak se një javë.” – (vëll. 2, f. 76).

3. “Vendi ku njeriu është më afër me Zotin e tij është në sexhde, prandaj shtojeni duanë (në sexhde)!” – (Hadithi nr. 1348, f. 84. Muslimi, Ebu Davudi dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra).

4. “Koha kur Zoti është më afër robit është në pjesën e fundit të natës, prandaj, nëse mundesh të jesh prej atyre që i bëjnë dhikër All-llahut në këtë orë, bëhu!” – (Hadithi nr. 1349, f. 84. Tirmidhiu, Nesaiu dhe Hakimi, nga Amr ibn Anbese).

5. “Njeriu me më shumë gjynahe në ditën e kiametit është ai që më së shumti ka folur ku s’i ka interesuar!” – (Hadithi nr. 1386, f. 86. Ebu Bekër ibn Lal dhe Ibn Nexhar, nga Ebu Hurejra, si dhe Ahmedi, nga Selmani, meukuf).

6. “Shtojeni përmendjen e dëbuesit të kënaqësive; vdekjes!” – (Hadithi nr. 1396, f. 86. Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Ebu Nuajmi, nga Ibn Omeri. Etj.).

7. “Më fisniku i njerëzve është më i përkushtuari i tyre (ndaj Zotit)!” – (Hadithi nr. 1416, f. 87. Bukhariu, nga Ebu Hurejra).

8. “Nderojini shtëpitë tuaja me faljen e ca namazeve, mos i bëni ato varreza!” – (Hadithi nr. 1429, f. 88. Abdurrezaku, Ibn Khuzejme dhe Hakimi, nga Enesi).

9. “All-llahu është shëruesi (i vërtetë)!” – (Hadithi nr. 1445, f. 89. Ebu Davudi, nga Ebu Remthe).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Transmetuesi i hadithit, Ebu Remthe, është sahabi që vdiq në Afrikë…” – (vëll. 2, f. 124).

10. “All-llahu është me kadiun (gjyqtarin) derisa të mos bëjë padrejtësi! E, nëse abuzon, Ai heq dorë prej tij dhe i qëndron pranë shejtani!” – (Hadithi nr. 1446, f. 89. Tirmidhiu, nga Abdullah ibn Ebi Eufa).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 26 janar 2017