Hadithet e kësaj dite kanë një specifikë, ndryshe nga shumë hadithe të pasqyruara gjatë ditëve që kaluan. Ato fokusohen në tre cilësi, ndjesi, elementë, lutje dhe lloje njerëzish, për të cilët, i dërguari i All-llahut (a.s) sqaron dallimin e tyre nga të tjerët.
Janë hadithe që lexohen me shumë kujdes, sepse në përbërjen e tyre ka udhëzime dhe këshilla të dobishme për jetën e secilit prej nesh. Si të thuash, secili ka mundësi të përfitojë një rreze drite nga cilido prej haditheve të prezantuara para duarve tuaja.
Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
1. “Tre gjëra; kush i posedon, ka shijuar ëmbëlsinë e besimit:Të jetë All-llahu dhe i dërguari i Tij më të dashur për të sesa kushdo tjetër, ta dojë tjetrin, për asgjë tjetër vetëm se për hir të All-llahut, si dhe të urrejë kthimin në femohim, pasi All-llahu e shpëtoi prej tij, siç urren të hidhet në zjarr!” – (Hadithi nr. 3415, f. 205. Ahmedi, Bukhariu, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh, nga Enesi).
2. “Tre cilësi; kujt i janë dhënë, i është dhënë sikurse Familjes së Davudit: Drejtësia në zemërim dhe kënaqësi, ekuilibri në varfëri dhe pasuri, si dhe frika e All-llahut në fshehtësi dhe haptas!” – (Hadithi nr. 3431, f. 206. El-Hakim Et-Tirmidhi, nga Ebu Hurejra).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, kujt i janë dhënë këto tre cilësi, i është dhënë falënderimi. Pra, ai është falënderues, sikurse Familja e Davudit, për të cilin janë urdhëruar, si në ajetin 13 të sures Fatir…” – (vëll. 3, f. 355).
3. “Tre persona e kanë hak nga All-llahu të mos ua kthejë mbrapsht duanë: Agjëruesi derisa të bëjë iftar, personi që i është bërë padrejtësi derisa të triumfojë, si dhe udhëtari derisa të kthehet!” – (Hadithi nr. 3452, f. 208. Bezzari, nga Ebu Hurejra).
4. “Tre lutje janë të pranuara, pa dyshim: Lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit, si dhe lutja e prindit për fëmijën e tij!” – (Hadithi nr. 3454, f. 208. Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).
5. “Tre gjëra janë pjesë e lumturisë së individit musliman në këtë botë: Komshiu i mirë, banesa e gjerë, si dhe mjeti i rehatshëm!” – (Hadithi nr. 3460, f. 208. Ahmedi, Tabaraniu dhe Hakimi, nga Nafiu).
6. “Tre gjëra, nuk i ndalohen tjetrit: Uji, gjelbërimi dhe zjarri!” – (Hadithi nr. 3485, f. 210. Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “(Me gjelbërimin nënkupton) ushqimin për kullosat në toka pa zot…) – (vëll. 3, f. 380).
7. “Tre cilësi janë prej përsosmërisë së moralit tek All-llahu: Të falësh atë që të ka bërë padrejtësi, t’i japësh atij që të ka ndaluar dhënien e të mirave), si dhe të vizitosh atë që nuk të vjen!” – (Hadithi nr. 3510, f. 212. Khatibi, nga Enesi)
(Ky hadith transmetohet edhe në versione të tjera të ngjashme. M.S.)
8. “Sytë e tre personave nuk do ta shohin zjarrin në ditën e kiametit: Syri që qau nga frika e All-llahut, syri që mbrojti në rrugë të All-llahut, si dhe syri që devijoi shikimin nga ndalesat e All-llahut!” – (Hadithi nr. 3518, f. 213. Tabaraniu, nga Muavije ibn Hajdete).
9. “Tre peronave nuk i lartësohet namazi i tyre as një pëllëmbë mbi kokë: Një personi që drejton namazin e një populli, që nuk e pëlqejnë, një gruaje, që është ngrysur duke qenë i shoqi i zemëruar prej saj, si dhe dy vëllezërve në grindje!” – (Hadithi nr. 3519, f. 213. Ibn Maxheh, nga Ibn Abbasi).
10. “Tre persona nuk do t’i shohë All-llahu në ditën e kiametit: Mosrespektuesin e prindëve të tij, gruan e përngjasuar me burrat, si dhe burrin që shet bukurinë dhe hiret e gruas së tij para të tjerëve!
Si dhe, tre persona nuk do të hynë në xhennet: Mosrespektuesi i prindëve të tij, i alkoolizuari, si dhe personi që përmend të mirën e bërë!” – (Hadithi nr. 3542, f. 215. Ahmedi, Nesaiu dhe Hakimi, nga Ibn Omeri).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 29 janar 2017