“All-llahu e ka krijuar mëshirën njëqind pjesë…”

Dhjetë hadithet e përzgjedhura të kësaj dite janë të shpërndara në tema të ndryshme, ku spikat nxitja e mëshirës në jetë, mirësjellja, bujaria dhe toleranca, si cilësi tipike të muslimanit.

Në hadithet e kësaj dite ka këshilla që i drejtohen edhe gruas muslimane në mënyrë të veçantë, si vlerësimi i shërbimeve të saj ndaj burrit, tolerimi i përdorimit të sasisë së nevojshme nga pasuria e burrit për kryerjen e nevojave të saj dhe të fëmijëve të saj, në raste kur burri është i papranishëm, i sëmurë, udhëtar etj.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

1. “I dëshpëruar dhe i humbuar është ai njeri, në zemrën e të cilit, All-llahu nuk ka vendosur mëshirë për njerëzit!” – (Hadithi nr. 3873, f. 236. Ed-Dulabi, Ebu Nuajmi dhe Ibn Asakir, nga Amr ibn Habib).

2. “Shërbimi që i bën burrit tënd është sadeka!” – (Hadithi nr. 3881, f. 236. Dejlemiu, nga Ibn Omeri).

3. “Merr nga pasuria e burrit tënd me mirësi, aq sa të mjafton ty dhe fëmijëve të tu!” – (Hadithi nr. 3900, f. 237. Bukhariu, Nesaiu, Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh, nga Nana e jonë Aishe).

4. “Një lajmëtar nga lajmëtarët e All-llahut, doli së bashku me popullin e tij të kërkonin shi nga All-llahu i Madhëruar, kur pa një buburrecë që kishte ngritur gjymtyrët e saj nga qielli. I tha popullit të tij: Kthehuni, se ju përgjigj kërkesës tuaj për hatrin e kësaj buburrece!” – (Hadithi nr. 3906, f. 237-238. Hakimi, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Në transmetimin e Ahmedit, bëhet fjalë për Hz. Sulejmanin (a.s). Njëkohësisht, në transmetimin e tij, Ebu Davudi ka shtuar: “Sikur të mos ishin bagëtia, nuk do ju binte shi!”] – (vëll. 3, f. 537).

Them (M.S.): Hadithi në fjalë është një argument që nxit njëkohësisht edhe mëshirën ndaj kafshëve në përgjithësi, për të cilat, Islami porosit përkujdesje dhe përgjegjësi, si për çdo krijesë prej krijesave të Zotit.

5. “Murgëria e ymmetit tim është në agjërim dhe namaz nate!” – (Hadithi nr. 3911, f. 238. Ahmedi dhe Tabaraniu, nga Ibn Amri).

6. “Dy sjellje i do All-llahu, dy të tjera i urren! Dy sjelljet që i do, janë: Bujaria dhe toleranca. Dy sjelljet që i urren, janë: arroganca dhe kopracia! Dhe, kur All-llahu i do të mirën një njeriu, e përdor në kryerjen e nevojave të njerëzve!” – (Hadithi nr. 3924, f. 239. Bejhekiu, (Ebu Nuajmi dhe Dejlemiu, si në “Fejdul-Kadir”, v. 3, f. 544), nga Ibn Amri).

7. “All-llahu e ka krijuar mëshirën njëqind pjesë, një pjesë e ka vendosur në mesin e krijesave të Tij; me të mëshirohen dhe, ka ruajtur pranë Vetes, njëqind pa një!” – (Hadithi nr. 3929, f. 239. Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).

8. “Pesë namaze (ditore) ia ka obliguar All-llahu robëve të Tij. Kushdo që i kryen ato, pa humbur gjë prej tyre nga neglizhenca ndaj hakut të tyre, ka besën e All-llahut që ta fusë në xhennet! Dhe, kushdo që nuk i kryen ato, nuk do ta ketë besën e All-llahut: po të dojë e ndëshkon, po të dojë do ta fusë në xhennet!” – (Hadithi nr. 3947, f. 241. Maliku, Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxheh, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Ubade ibn Samit).

9. [Pesë gjëra janë prej hakut të muslimanit: Kthimi i selamit, përgjigjja e ftesës, prezantimi i xhenazes, vizita e të sëmurit dhe thënia: “All-llahu të mëshiroftë”, kur teshtitet dhe thotë: “Elhamdulilah”!] – (Hadithi nr. 3956, f. 241. Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).

10. “Pesë gjëra janë prej adhurimit: Vështrimi në Mus’haf (Kur’an), vështrimi në Qaben (e Madhnueshme), vështrimi (në fytyrën) e prindëve dhe vështrimi në Zemzem. Këto shlyejnë gabimet. Edhe vështrimi në fytyrën e dijetarit!” – [Hadithi nr. 3971, f. 243. Darekutniu dhe Nesaiu (“autori e ka lënë bosh emrin e sahabiut prej nga transmetohet”, si në “Fejdul-Kadir”, vëll. 3, f. 564)].

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 shkurt 2017