Të dashur dhe të nderuar të pranishëm,
Transmetimet e sakta mbi ndodhitë e Israsë dhe Miraxhit, përmbajnë në vetvete filozofinë e krejt dërgesës udhëzuese të Hz. Muhammedit (a.s), si Lajmëtar i Paqes, ndërtues dhe mbrojtës i saj!
Sepse, zotëria i jonë, Resulull-llahu (a.s), ishte i vetmi në historinë e njerëzimit, që në një natë të vetme, pas mbi 10 viteve të mbushura me sakrifica, durim, lodhje, lëndime e refuzim, iu hapën dyert e qiejve, për t’u takuar me të dërguarit më të spikatur të historisë së shekujve, për të marrë lutje e mirënjohje prej tyre, si dhe për të ndarë me ta lutje e bekime për mbarë ymmetin, deri në ditën e gjykimit!
Si të thuash, brenda një nate të vetme, All-llahu i Madhëruar, i dëshmoi zemrës së Hz. Muhammedit (a.s), krejt të dërguarve para tij, ymmetit islam dhe krejt njerëzisë, deri në ditën e fundit, se Hz. Muhammed Mustafaja është i Dërguari i Paqes, ymmeti i tij, ymmet i Paqes, thirrja e tij, thirrje e Paqes, Zoti i tij dhe i gjithësisë, Es-Selamu, përshëndetja e ymmetit të tij: “Es-Selamu alejkum”, pra: “Paqja qoftë mbi ju!”, thirrja e tij: “Përhapeni selamin në mes jush, të duheni!” dhe përshëndetja e tyre, ditën kur do të trashëgojnë xhennetet e Zotit të tanësisë, do të jetë: “Selamun alejkum”!
Për këtë, ai Zotni (a.s): “Kalonte pranë fëmijëve dhe u jepte selam!”, që të mësonte filizat e rinj, se jeta e jonë, feja e jonë, përshëndetja e jonë, thirrja e jonë është SELAMI-PAQJA!
Nga këtu, mendoj se ne si muslimanë e kemi keqlexuar hadithin: “Përhapeni selamin, të paqtoheni!”, ose nuk ia kemi dhënë hakun e duhur kësaj ftese për të jetuar në harmoni e vëllazëri të plotë me njëri-tjetrin, por edhe me botën mbarë! E kemi lexuar cungët, teksa dëshmojmë një gjendje paradoksale të botës tonë islame, tama-tamam, siç paralajmëronte Resulull-llahu (a.s): “Shumë, por shkumë, si shkuma e detit!”…
Sepse trupëzimi i Paqes me Zotin, me veten e tjetrin në jetë, nis që nga vetëdija, brumosja dhe edukimi me kulturën e Paqes; në përshëndetje, në komunikim, në nijet, në vepra, në distancim nga paragjykimi, urrejtja, mendimi i keq për tjetrin, në ruajtje nga haramet, në frenim të nervozizmit dhe në ruajtje të ekuilibrave në jetë, që të gjitha këto të marra së bashku, përbëjnë për ne muslimanët: FÉ! Dhe, feja e jonë është e bazuar mbi themele të forta humanizmi, paqeje, mëshire dhe tolerance!
Ndërkohë, Zoti i githësisë i ka cilësuar të nënshtruarit ndaj Tij me këtë cilësi: [E robërit e Mëshiruesit janë ata që ecin në tokë me butësi, e kur atyre u drejtohen injorantët me fjalë, ata thonë: “Paqe!”] – (Furkan: 63).
Të dashurit e mi,
Të gjithë ne si muslimanë, duhet të ndjehemi krenar për fenë tonë, për të Dërguarin tonë, që thoshte: “Jam dërguar mëshirë dhe s’jam dërguar dënim!”, për Librin tonë Kur’anin, ku Zoti i gjithësisë urdhëron: “E ata, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, me urdhrin e Zotit të tyre u vendosën në xhennete, nën pallatet e të cilëve rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Përshëndetja e tyre në të është “Selam” – paqe” – (Ibrahim: 23). (Dhe, pa e jetuar Paqen e mësuar nga Hz. Muhammedi (a.s) në këtë botë, nuk ka shpërblim në jetën e përtejme!).
Njëkohësisht, jemi të ftuar ta lexojmë dhe ta përvetësojmë si duhet historinë tonë të lavdishme shekullore, sikurse e kemi për detyrë t’ia mësojmë fëmijëve tanë, të afërmve dhe krejt atyre që akoma kanë dilema, (të ndikuar edhe nga keqinformimi, padija e mosleximi), se vetë Islami është Paqe dhe ndërtim, ura komunikimi, siguri dhe besë, hapje ndaj botës dhe tolerancë, moral fisnik dhe ekuilibër dhe, mbi të gjitha, vepra konkrete, para fjalëve dhe pretendimeve!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Nga referati i mbajtur në Ulqin, më 18 shkurt 2017,
në programin fetar me temë: “Muhammedi (a.s), simbol i paqes”,
organizuar nga Mexhlisi i Bashkësisë Islame Ulqin)