11.
Shënim posedimi…
Me shkrimin e dorës së Hafiz Halil Pukës, në gjuhën arabe, kam gjetur edhe këtë shënim posedimi të një prej librave të bibliotekës së tij: “Prej pasurive të të varfërit e të përulurit, para Mbretit Fuqiplotë, Hafiz Halil, i biri i Molla Hysen Pukës. All-llahu ua faltë gjynahet dhe ua mbuloftë të metat. Amin, për hatrin e Zotërisë së të Dërguarve! Viti njëzet e një e treqind e njëmijë (1321) nga hixhreti i atij, që i është dhënë krenari e nder”.
12.
Libër, dorë më dorë…
Prej shembujve shumë interesantë, të kalimit të një libri dorë më dorë, nga një hoxhë te një tjetër, është edhe rasti i mëposhtëm. Mbi një faqe të brendshme të grisur të një libri në gjuhën arabe kam gjetur këtë shënim: “Posedues i këtij libri, është Hafiz Alushi, i biri i Salih beg ulqinakut”.
Pak më tutje, një tjetër shënim, me dorën e Hafiz Muhamed Kastratit: “Ky libër ka kaluar nga dora e tij, në timen, me anë të blerjes, nga Hafiz Jusuf Këlmendi. Unë jam Hafiz Muhamed Kastrati”.
Për Hafiz Muhamed Kastratin, më pat folur gjerë e gjatë edhe i nderuari, H. Hamza Cungu, në një intervistë të gjatë, (të papublikuar), që pata zhvilluar me zotninë e tij në ambientet e faltores së Rusit, vite më parë.
13.
Nga Hafiz Alush Ulqinaku…
Një tjetër shembull i ngjashëm me të lartpërmendurin, është edhe një shënim me dorën e Hafiz Alush Ulqinakut, që shënon: “E kam poseduar me anë të blerjes nga Hafiz Muharremi. Unë jam i varfëri, Hafiz Alushi, i biri i Salih beg ulqinakut. I faltë të dy, Falësi i Madhëruar!”.
Më pas, shënimi me dorën e Hafiz Muhamed Kastratit: “E kam poseduar pas vdekjes së tij. Hafiz Muhamed Kastrati”.
14.
Në dorën e Daut ef. Boriçit…
Prej shembujve të shumtë të kalimit të një libri nga një shkollar te një tjetër, është edhe rasti kur Daut ef. Boriçi merr në posedim një libër nga një sheh kadiri.
Ja dhe shënimet e tyre mbi faqen e brendshme të librit në gjuhën arabe: “E posedoi, i varfëri, shërbëtori i të varfërve, Zotëri Sheh Osman Ruhi Kadiri. Zoti e faltë. Viti 1272 h.”
Më pas shënimi vijues: “Kaloi në posedim të të varfërit e të përulurit para Tij, Madhëruar qoftë, Davudi (Dauti), i biri i Mustafasë. Zoti i faltë të dy!” dhe vula e tij, që mban këtë shënim: “Daud Shukri”.
15.
Vargjet e Teftazanit për librin…
Vargjet me të cilat Imam Teftazani i kthen përgjigje El-Xherxhanit, në të cilat thotë: “O ti kërkues i librave, lermë, – Se huazimi i të dashurit, turp është! – I dashuri im në këtë botë, libri është, – Të jepet hua i dashuri, turp është!?”, i kam gjetur edhe në shënimet e dijetarit të shquar Hasan ef. Podgorica, prej të cilit ka marrë ixhazet Hafiz Halid beg Bushati, që ishte muxhizi i Hafiz Jusuf Këlmendit, ixhazetin e të cilit e kam evidentuar dhe përkthyer në shqip nga gjuha arabe.
Mbi faqen e brendshme të librit ku ndodhen të regjistruara këto vargje, gjendet edhe ky shënim: “Prej librave të dijetarit të nderuar (El-Alimul-Fadil) Hasan Efendi Podgorica”.
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 prill 2017