Thirrja e amanetit… -5-

(Shënime të grumbulluara nga trashëgimia e hoxhallarëve të Shkodrës)

21.

Jusufi Siddik…

Fatmirësisht, në disa prej librave shumë të vjetër, kam arritur të gjej edhe gjurmët e kaligrafisë së dijetarit të madh e të shquar, Jusuf ef. Tabaku, i vlerësur nga Shejkhul-Islami i kohës me gradën shkencore “Izmiri paji i muxhered”, një gradë më e lartë se “myderriz”, në periudhën osmane, por jo vetëm atë.

Në një prej librave të bibliotekës së tij, me dorën e tij është shënuar: “E ka zotëruar me anë të blerjes, Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i qytetit Shkodër. E faltë (Zoti)”. Poshtë këtij shënimi ndodhet edhe vula, në brendësi të së cilësi shënohet (arabisht): “Prej librave të Jusuf Siddikut. 1273”.

22.

I varfëri Hafiz Ali Kraja…

Mbi kopertinën e brendshme të librit “El-Khilafe”, një libër me studime politike, sociale e reformatore të autorit Muhammed Reshid Rida, gjendet edhe një shënim në dy gjuhë, arabisht dhe shqip, me dorën e Hafiz Ali Krajës. Në të, shumë thjeshtë, në gjuhën arabe shënohet: “Posedues i këtij libri është i varfëri, Hafiz Ali Kraja” dhe shënimi në shqip: “H. Ali Kraja”.

23.

Një libër “VAKËF”…

Ndryshe nga shumë hoxhallarë të vjetër të Shkodrës, Hafiz Muhamed Kastrati, ka pasur një mënyrë personale të shënimit në disa prej librave të bibliotekës së tij. Është shumë interesante dhe ndoshta unike se si ai, i ka bërë vakëf disa prej librave të bibliotekës së tij.

Në shënimin në fjalë, me një kaligrafi të hapur, në gjuhën arabe, shënohet: “Vakëf për hatër të All-llahut të Madhëruar. Nuk shitet as nuk blehet. Hafiz Muhamed Kastrati”.

24.

Robi, Hafiz Abaz…

Prej shënimeve të Hafiz Abaz Golemit, drejtori i parë i shkollës së Parrucës, për 12 vjet me radhë, në një prej librave të bibliotekës së tij, në gjuhën arabe është edhe shënimi i mëposhtëm: “Prej librave të të varfërit, të përulurit, Haxhi Hafiz Abaz, i biri i Haxhi Aliut. I faltë të dy, Falësi, Krijues. Amin!”.

Shumë interesante është edhe përmbajtja e vulës së Hirësisë së Tij, ku shkruhet: “Më i dobëti i njerëzve, robi, Hafiz Abaz. 1307”.

25.

Zotërues me anë të shkrimit…

Prej veçorive, me të cilat është shquar Jusuf ef. Tabaku, është se në posedim të tij ndodheshin libra të shumtë, të cilët i ka kopjuar me dorën e tij nga origjinalet, pas një fatkeqësie që shkatërroi librotekën e familjes së tij.

Në arkivin tim personal, gjenden disa nga këto libra-dorëshkrime. Në njërin prej tyre, Hirësia e Tij shënon: “Posedues me anë të shkrimit është Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i qytetit Shkodër. E faltë (Zoti)”.

Ky shënim shoqërohet edhe me vulën e tij personale, për të cilën u fol edhe më lart.

Në njërin prej këtyre librave, të kopjuar me shkrimin e dorës së Hirësisë së Tij, shkruhet: “E shkroi Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i Shkodrës. All-llahu e faltë atë dhe prindët e tij. 26 Shevval 1286, nata e shtunë, pas akshamit”.

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 prill 2017