26.
Zotërues me anë të blerjes…
Në një prej librave të librotekës së tij personale, Jusuf ef. Tabaku, bën një shënim të ngjashëm me të lartpërmendurin, (nr. 25), përveç një dallimi të vogël, që është edhe mënyra e posedimit të librit në fjalë. Shkruan: “Posedues me anë të blerjes, Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i qytetit Shkodër. E faltë (Zoti)”.
Dallimi është i dukshëm. Nëse në rastin e parë, libri hyn në posedim të tij me anë të shkrimit, pra kopjimit, këtë herë ai posedohet me anë të blerjes.
Njëkohësisht, është shumë e qartë vula e tij personale, ku lexohet shumë qartë edhe data: 1273 h.
27.
Rob i Udhëzuesit…
Një shënim me vlerë, që kam gjetur mbi kopertinën e një prej librave të teologjisë islame në gjuhën osmane, është edhe ai me dorën e H. Muhamed Bekteshit.
Shënimi është shumë i thjeshtë. Por, e veçantë e tij është njëri prej “esmaul-husnave” (emrave të madhnueshëm hyjnor) të përdorur nga hoxha në fjalë, duke i atribuar vetes robërinë ndaj Tij (xh.sh).
Teksti i plotë i këtij shënimi është: “Prej librave të më të varfërit të krijesave të Udhëzuesit (El-Hadi), Muhammed Teufiku, i biri i Bekër (Beqir) Bektashit”, me “a”.
28.
Dëshmi ixhazeti…
Ndër gjurmët më të rëndësishme e me vlerë të hoxhallarëve tanë të shkuar, është padyshim edhe dëshmia e ixhazetit, që kanë dhënë për kërkuesit e diturive para duarve tyre.
Njëri ndër këto raste, që kam arritur të zbuloj është edhe dëshmia që Hafiz Jusuf Këlmendi jep për Hafiz Sulejman Gavoçin.
Në fund të ixhazetit, hafizi, nëpërmjet një kaligrafie artistike të mrekullueshme arabe, dëshmon si më poshtë: “Ky është ixhazeti im për Haxhi Hafiz Sulejman efendiun, sikurse më dhanë ixhazet zotëritë e mi. Unë jam i varfëri, Haxhi Hafiz Jusuf Abdul Këlmendi. All-llahu i faltë të dy!”.
29.
Lutje për falje…
Prej gjurmëve të shkruara mbi faqet e librave, që ka lënë Hafiz Myrteza Vuci, është edhe një lutje e shkurtër me një kaligrafi shumë tërheqëse.
Në gjuhën arabe, në fund të kopertinës së brendshme të një libri, pasi ka shënuar emrin e tij, lutet: “E faltë All-llahu atë, prindërit e tij, prindërit tanë, mësuesin tim dhe besimtarët, ditën kur do të bëhet kijameti…”.
30.
Mus’hafi i vjetër i Hafiz Mahmudit…
Para ca kohësh, një prej besimtarëve frekuentues të xhamisë së Parrucës, më vuri në dispozicion të hulumtimeve Mus’hafin e vjetër të një prej gjyshërve të tij.
Pasi e shfletova, vura re edhe disa shënime orientuese shumë të dobishme për lexuesin. Ndërkohë, në fund të Librit të Madhnueshëm, në një faqe të shkëputur nga teksti i shenjtë, poseduesi kishte shënuar: “Poseduesi i këtij Mus’hafi është Hafiz Mahmudi, i biri i Tahir begut. Viti 1287 h., 20 xhumadal-evvel”.
Pak më poshtë ndodhet edhe vula personale e poseduesit, ku në arabisht, shënohet vetëm emri i tij: “Mahmud”.
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 prill 2017