Thirrja e amanetit… -8-

(Shënime të grumbulluara nga trashëgimia e hoxhallarëve të Shkodrës)

36.
Hafiz Sadik Hamza Zaganjori…

Në sektorin e trashëgimisë islame të Shkodrës, në librotekën time, ndodhet e plotë edhe vepra me titull: “Hashijetul-Kharbuti ala Tuhfetil-avamil”, në sintaksën e gjuhës arabe. Librin në fjalë, së bashku me një numër të vogël të librave të ruajtur me shumë frikë dhe amanet, nga libroteka e H. Ali Shoshit, pati mirësinë të ma dhuronte para disa vitesh, nipi i tij, z. Taip Shoshi.

Në faqen e fundit të këtij libri me vlerë, me laps, shënohet në shqip: “H. Sadik Zaganjori”, si dhe në arabisht: “Hafiz Sadiku, i biri i Hamza Zaganjorit”.

37.
Shënim me vlerë nga H. Ali Kraja…

Mbi faqet e brendshme të veprës së Sa’d Et-Teftazanit, “Mukhatesarul-meani”, në elokuencë dhe letërsi arabe, shënohet edhe emri i poseduesit të tij të dikurshëm, H. Ali Kraja: “Prej librave të varfërit për mirësitë e Zotit të tij të Plotfuqoshëm, Hafiz Aliu, i biri i Myftarit, I faltë Falësi”.

Me shkrimin e Hafizit të dashur, ndër të tjera janë edhe këto këshilla në gjuhën arabe: “Nxënësi, kur ulet para duarve të Mësuesit, duhet të përfytyrojë mexhlisin e Resulull-llahut (a.s) dhe sahabëve të tij, All-llahu qoftë i kënaqur prej tyre, si dhe ta respektojë Mësuesin e tij. Njëkohësisht, nuk duhet t’ia kthejë fjalën në mënyrë të ftohtë, por të kontrollojë mirë mënyrën e pyetjes dhe të lërë pas dore leximet para mexhlisit të Mësuesit, t’i përkushtohet atij me dëgjimin e tij dhe me prezencën e mendjes, sepse, ndoshta mund të ketë lexuar a kuptuar çfarë mund të mos jetë qëllimi i burimit a shpjeguesit…”

Përkthimin e plotë, inshallah, do ta botoj në një format tjetër.
Libri i lartcituar, ka 253 faqe, sikurse është pasuruar edhe me shënime të shumta me dorën e Hoxhës së ditur, H. Ali Kraja, rahmet pastë.

38.
“Mos u nxito të etiketosh gabim një fjalë…”

Në faqen e brendshme të kopertinës së parë të njërit prej librave të sintaksës arabe, “Tuhfetul-avamil”, që mban nënshkrimin: “U bë pjesë e pasurisë së të përulurit e të varfërit, Hafiz Ibrahim, i biri i Haxhi Ahmed (…). Viti 1275 h.”, me shkrimin e dorës së Hafiz Ibrahimit, kam gjetur edhe këto rreshta në gjuhën arabe, që ia atribuon autorit të tyre:

“Mos u nxito të etiketosh gabim një fjalë,
Paragjykimi, kurrë s’është i drejtë!
Sa paragjykues të fjalëve të drejta,
Vuajnë nga kuptimet e liga!”

(Këto rreshta është mirë të lexohen, sidomos nga dikush, që e lëshon fjalën, i ngutur emocionalisht, duke paragjykuar qëndrime, dëshmi e fjalë të dikujt, për të cilat gjithësesi nuk është i obliguar të japë llogari në këtë botë, as do të gjykohet për ta në jetën e përtejme!)

39.
Tefsiri i sures “Jasin”, nga Hamami Zade

Tefsiri i plotë i sures “Jasin”, nga mexhlisi i dijetarit të njohur, si: Hamami Zade dhe botuar në shtypshkronjën e Haxhi Muharrem Efendi boshnjakut, viti 1288 h., ndodhej në posedim të Hoxhës së ndritur, Hafiz Sheuqet Boriçi, rahmet pastë.

Botimi në fjalë, në formatin e një broshure me 49 faqe, është i mbushur me shënime anësore nga hoxha i nderuar shkodran.

Me shkrimin e dorës së tij, ky botim mban edhe shënimin vijues: “Prej librave të varfërit dhe të përulurit, Hafiz Mustafa Sheuqet, i biri i Musa Qazimit, i faltë Falësi Gjykues! Amin!”

40.
H. Ibrahim Repishti, “hanefiu, tixhani”…

Në një shënim anësor me dorën e Hafiz Ibrahim Repishtit, rahmet pastë, kam gjetur edhe këtë dëshmi, unike në llojin e vet: “E shkroi, i varfëri për All-llahun e Pasur, Ibrahim Hakiu, me medhheb hanefi, me tarikat tixhani”.

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 18 prill 2017