Thirrja e amanetit -9-

(Shënime të grumbulluara nga trashëgimia e hoxhallarëve të Shkodrës)

41.
H. Isuf Karakaçi, “Imami i Rusit vogël”…

Tridhjetë e dy faqet e para të veprës së Sa’d Et-Teftazanit, me titull: “Mukhtasarul-meani”, në elokuencë arabe, e kam gjetur me një vulë në formë vezake, me ngjyrë blu, ku shënohet: “H. I. Karakaçi”, në mes, “Imami i Rusit vogël”, lart, “Shkodër”, poshtë.

Teksti i vulës është shkruar në gjuhën shqipe.

Gjurmët e H. Isuf Karakaçit gjenden edhe në revistën “Zani i Naltë”, ku zotëria e tij, së bashku me Myftiun e Shkodrës, Tahir ef. Myftija, zhvillojnë debate publike me Sali Vuçiternin, në lidhje me disa çështje që lidhen me sektorin e financave në Komunitetin Mysliman të asaj kohe.

Thuhet, se ai ishte ideatori që rrugës së Çakajve-Karakaçi, t’i vihej emri “Bashkimi”, sepse në këtë zonë kishte shumë shtëpi muslimane, por edhe të besimeve të tjera. Edhe sot e kësaj dite, një nga rrugicat e lagjes Rus mban këtë emër të propozuar prej H. Isuf Karakaçit, rahmet pastë!

42.
“E posedoi, i varfëri Hafiz Sulejman Trashani”…

Tesktin e reduktuar të veprës “Multekal-ebhur”, në fikhun hanefi, si botim i plotë me 193 faqe, botim i vitit 1315 h., e kam gjetur edhe me shënimin anësor: “E posedoi, i varfëri Hafiz Sulejman Trashani” .

Vepra përmban edhe shënimin e botuesit: “Ky është një tekst i reduktuar në shkencën e fikhut (jurisprudencës). Titullohet: “Multekal-ebhur”, i fakihut, dijetarit poliedrik, të përkushtuarit të nderuar… Ibrahim ibn Muhammed ibn Ibrahim El-Halebi, pastë mëshirën e Zotit të tij… Ai ishte imam dhe hatib në xhaminë e Sulltan Muhamed Hanit në qytetin e Kostandinijes… Ai ndërroi jetë në vitin 956 h., pasi kishte kalur 90 vite nga jeta e tij…”

43.
Kamus Turki…

“Fjalor Turqisht”, është vepra e madhe në 1575 faqe e Sami Frashërit, që e kam gjetur me shënimin anësor: “I zoti i këtij libër është Ibrahim Hakiu, i biri i Haxhi Hafiz Jusuf efendi Repishtit. All-llahu ia faltë gjynahet të dyve dhe gjynahet e besimtarëve! Amin!”

Autori i këtij fjalori të madh, “Sh. Sami”, Shemsudin Samiu i famshëm, në fund të veprës ka lënë edhe këtë shënim: “Falënderimi i takon All-llahut për plotësimin e veprës, më 7 nëntor të vitit 1317, në mëngjes, në orën 2 e 15 minuta në Erenköy. Ndërkohë, fillimi i kësaj pune ishte me 15 tetor 1315. Samiu”.

44.
Hafiz Jusuf Këlmendi…

“Prej librave të Haxhi Hafiz Jusufit, të birit të Abdyl (Abdullah) Këlmendit. Viti 1330”, është nënshkrimi mbi një vepër të dijetarit të shquar Meulana Shejkh Hasen El-Adevi El-Hamzavi, në medhhebin maliki.

Hafiz Jusuf Këlmendi, rahmet pastë, ka qenë një dijetar elitar i qytetit të Shkodrës, prej duarve të cilit kanë dalë një numër i konsiderueshëm hoxhallarësh të nderuar, që kanë lënë gjurmët e tyre në shërbim të Thirrjes Islame në vendin tonë dhe jashtë tij.

Vargu i hoxhallarëve të ixhazetit të tij, mbërrin në mënyrë të pashkëputur, nga Hoxha i tij, H. Halid Bushati, deri te Resulull-llahu (a.s). Teksa tregon për marrëdhënien me Hoxhën e tij, në ixhazetin që i ka dhënë nxënësit të tij, H. Sulejman Gavoçi, ndër të tjera, shkruan: “Në dersin e tij qëndrova për një kohë të gjatë dhe u ruajta të mos hy aty ku nuk më takon në këtë çështje, saqë në praninë e tij qëndroja si të isha udhëtar, ndonëse isha prezent!”

Rahmet paçin, çfarë edukate dhe etike komunikimi kanë pasur me Mësuesit dhe Edukatorët e fesë!

45.
H. Halid Mertoshi…

Emrin e Hoxhës së dashur, H. Halid Mertoshi, e kam gjetur mbi mbetjet e disa veprave në gjuhën arabe, ndonëse, i nderuari i përket kohës së fundit të talebeve të H. Muhamed Bekteshit, rahmet pastë.

“Halid Mertoshi”, e kam gjetur mbi faqen e parë të lëndës së vëllimit të tretë të veprës: “Sahihul-Bukhari”, në gjuhën arabe.

Emrin e tij e kam gjetur të shënuar edhe në mbetjet e veprës: “Hashijetut-Tahtavi ala Merakil-felah Sherh Nurul-idah”, në medhhebin e Imam Ebu Hanife Numanit, radijall-llahu anhu. “I zoti i këtij libri është Halid Mertoshi”, shënohet mbi faqen e brendshme të kësaj vepre.

Zotërinë e tij, kam pasur fatin ta njoh nga afër dhe ta shoqëroj me një emocion dhe respekt të madh, në vitet e para të rimëkëmbjes së fesë në vendin tonë, teksa ai, ishte i vetmi Hoxhë me çallmë e xhybe dhe mjekrën thuajse të bardhë, që lëvizte në këmbë nëpër rrugët e Shkodrës. Bëhet fjalë për ditët e para të vitit 1991.

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 19 prill 2017