Thirrja e amanetit -10-

(Shënime të grumbulluara nga trashëgimia e hoxhallarëve të Shkodrës)

46.
Hafiz Ymer Ed’hem Bakalli…

Sonte përjetova një emocion të papërshkrueshëm, teksa zbulova një dorëshkrim origjinal, me autor dijetarin e shquar shkodran, Hafiz Ymer Bakalli, rahmet pastë.

Materiali në fjalë, (për të cilin nuk do të flas me hollësi tani), ka një vlerë të madhe në trajtimin e pozitës së sahabëve në Islam dhe distancimin nga etiketimet fanatike dhe injorante në hak të tyre, është shkruar me dorën e Hoxhës së ditur në fletë të bardha, me stilograf me ngjyrë të zezë, është i qepur në mes dhe ka dy kopertina të trasha me zbukurime orientale.

Dorëshkrimi është ndarë në dy tema, të cilat autori i trajton paralelisht, të ndara nga njëra-tjetra, brenda secilës faqe. Pra, kemi të bëjmë me dy trajtesa rreth një teme, në një dorëshkrim të vetëm.

E krahasova shkrimin e tij me disa dorëshkrime të tjera të zotërisë së tij dhe dola në përfundimin e autenticitetit të tij, pavarësisht shënimeve përforcuese, si vijon:

– Në faqen e parë të dorëshkrimit, shënon: “E grumbulluesit të tij, të varfërit, të përulurit, nevojtar për mirësitë e Zotit të tij të Plotfuqishëm, Omeri (Ymer), i biri i Ed’hem (Et’hem) shkodranit, Zoti e faltë”.

– Në përfundim të dorëshkrimit, autori shënon: “All-llahumme na bëj të kapemi pas sheriatit muhammedi dhe prej atyre që pasojnë traditat e të Dërguarit, që të fitojmë nëpërmjet tyre gradët e larta dhe të meritojmë nëpërmjet tyre ndërmjetësimin e tij (shefatin), All-llahu e begatoftë atë, familjen e tij të respektuar dhe shokët e tij të nderuar, të cilët e pasuan atë në çdo gjendje e situatë.

U përfundua shkrimi i tij (i këtij libri –M.S.-) në muajin, në të cilin u lind Zotëria i njerëzisë, Muhammedi (a.s), nga muajt e vitit 1341 nga hixhreti i atij që është rrethuar me nder e krenari.

Ndërsa unë jam i varfëri, i huaji (el-garib), duarboshi (adimel-bidaati), i pamunduri Omeri, i biri i Ed’hem shkodranit, i faltë të dy Mbreti i Plotpushtetshëm…”

Pra, bëhet fjalë për një dorëshkrim 97 vjeçar nga njëri prej hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, elhamdulilah!

47.
“Sure-i Jasin” dhe njohuritë filestare të fesë islame

Poashtu sonte, kam zbuluar një fletore ku janë shkruar me shkrim dore të kuptueshëm, në gjuhën shqipe, sureja “Jasin”, dhjetë suret e fundit të Kur’anit, sureja “El-Fatiha”, si dhe kushtet e besimit, ato të Islamit, rregullat e faljes së namazit, mënyra e faljes së namazit, duatë e namazit, llojet e namazeve, me detaje, teksti i ezanit etj.

Dorëshkrimi në fjalë, që meriton të botohet dhe të shërbejë për mësimin e fëmijëve që ndjekin kurset fillestare të fesë islame në xhamitë e vendit tonë, por jo vetëm, mban këtë shënim në kopertinë e tij: “Hafiz Qazim Ismail – Sure-i Jasini Sherif – Shkodër – Shpija Botuese “Ora”, 1935”.

48.
Hafiz Adem Kazazi…

Emrin e të nderuarit, Hafiz Adem Kazazi, e kam dëgjuar për herë të parë nga gjyshi im rahmetli. Ai përherë e kujtonte me respekt Hoxhën, për të cilin thoshte se nëna e tij, Emine, e kishte pasur dajë.

Një pjesë të trashëgimisë së mbetur nga librat e tij, kam fatin t’i kem në rrjetin e librotekës sime, pas mirësisë së bijës së Hoxhës, e cila, së bashku me familjarët e saj të nderuar vendosën të m’i dhurojnë. All-llahu ia shpërbleftë!

Me shënimet e dorës së tij kam në posedim edhe librin e titulluar: “Hashijetu dibaxheti ed-Dur en-Naxhi”, në gjuhën arabe. Librin në fjalë, është i mbushur me shënime anësore me dorën e Hafiz Adem Kazazit; shënime që karakterizohen nga një arabishte e pastër dhe e pasur.

Njëkohësisht, në faqen e parë, me shkrimin e tij shënon: “Posedues i këtij libri me vlerë është Hafiz Adem Kazazi”.

49.
Dorëshkrim i Ahmed ibn Muhammed ibn Said El-Gaznevi…

Një dorëshkrim me vlerë mbi vlerën e dijes dhe dijetarëve, nga autori Ahmed ibn Muhammed ibn Said El-Gaznevi, gjendet me nënshkrimin e Hafiz Adem Kazazit, kun ë faqen e parë të këtij dorëshkrimi me vlerë, shënon: “I zoti (i këtij dorëshkrim), Hafiz Adem Kazazi.

Ndër dobitë e tij, mund të përmend: [Ka thënë fakihu Ebul-Lejth (r.a): “Nga dijetari kërkohen dhjetë gjëra: Frika e All-llahut, këshilla, dhembshuria, durimi…” Etj.

Në fund të këtij dorëshkrimi, shënohet edhe ky detaj me vlerë: “U përfundua pas mesdite. Viti 1285 h.”

Pra, fatmirësisht, kemi të bëjmë me një dorëshkrim të shkruar para 153 vitesh dhe të ruajtur me shumë përkushtim, Elhamdulilah!

50.
“Nga ajo, me çfarë e begatoi All-llahu, robin e Tij të varfër…”

Tetë faqet e para të librit me titull: “El-Hasidetun-Nebevijje sherhul-Kasidetil-Medenijje”, të autorit Haxhi Muhammed Feuzi, “i njohur si Myftiu i shkuar i Edrenesë”, në gjuhën arabe, i kam gjetur me këtë shënim interesant: “Nga ajo, me çfarë e begatoi All-llahu, robin e Tij të varfër Halid Shukri, i biri i Adem efendiut, i biri i Salih efendiut, Zoti i faltë. Viti 1320 h.” Ky shënim shoqërohet edhe me vulën e rrumbullakët, ku shënohet: “Halid Shukri. 1320”.

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 20 prill 2017