La ilahe il-lall-llah!

Në hadithin e njohur: “Besimi është shtatëdhjetë e ca degë, më e larta e tyre është thënia: ‘La ilahe il-lall-llah’ dhe më e papërfillshmja e tyre është largimi i të keqes nga rruga. Edhe turpi është degë prej degëve të besimit”, Resulull-llahu (a.s.) na fton të ndalemi, (më e pakta) në këto tre stacione, që janë besimi në Njësinë e All-llahut, pastrimi i realiteteve tona nga e keqja dhe veshja me moralin e bukur të turpit!

Në Kur’anin Famëlartë, All-llahu i Madhëruar urdhëron dhe thotë: “Dije se nuk ka Zot tjetër, pos All-llahut!”. Pra, dije dhe mësoje se nuk ka Zot tjetër, pos All-llahut!

Dhe, pyetja që duhet t’i drejtojë vetes muslimani është: A kemi mësuar ne se kush është Zoti ynë? Çfarë dijmë ne për Zotin tonë? Dhe, çfarë është besimi për muslimanin? Si, je besimtar? Çfarë do të thotë se ti beson në All-llahun?

E, nëse All-llahu i Madhëruar të urdhëron të mësosh e të dish se nuk ka Zot tjetër, pos Tij, a e ke pastruar ti, si besimtar e si musliman, besimin në zemrën tënde?

Pra, a je ti besimtar hak në një Zot të vetëm, që është All-llahu i Madhëruar? Apo në zemrën tënde ka edhe përzierje të tjera? A frikësohet muslimani i sotëm për rizkun e tij, për të sotmen, të ardhmen? Si i ka marrëdhëniet e tij me sekretet e kaderit? Apo është i bindur plotësisht se çdo gjë është në dijen dhe vullnetin e All-llahut të Madhëruar dhe se, asgjë nuk ndodh jashtë kësaj dijeje? Jeta e jonë është në dorën e Tij, vdekja e jonë është në dorën e Tij, kaderi i jonë është në dorën e Tij! Që do të thotë se, ne vijmë në këtë botë dhe All-llahu është i Plotdijshëm për çdo gjë tonën, atëherë përse frika?

A i njohim ne emrat e bukur të All-llahut të Madhëruar, për të cilët thotë në Kur’anin Famëlartë: “Të All-llahut janë emrat më të bukur”? A i dijmë këto 99 emra? A e dijmë përkthimin dhe kuptimin e secilit prej tyre? A i dijmë ajetet që kanë zbritur për këto emra dhe kontekstin e secilit prej tyre?

Tjetër. Mrekullitë e famshme të pejgamberëve të përmendur në Kur’an, a na kanë shërbyer për të kuptuar se një prej qëllimeve të shfaqjes së këtyre mrekullive është që të na forcohet zemra se, All-llahu i Madhëruar nuk e lë robin e Tij, aq më tepër besimtarin, edhe në kushtet më ekstreme dhe marrëdhënies së tij me jetën, nëse është i sinqertë me Zotin e gjithësisë?

Fjala bie, çfarë kemi kuptuar ne nga ngjarja e të rinjve të shpellës (As’habul-kehf)? Çfarë kemi kuptuar për këta të rinj: “që e besuan Zotin e tyre…”? Këta djem u bënë shembull deri në kijamet. Madje në botën tonë islame bëhet “garë” në mesin e disa vendeve, që pretendojnë se Shpella ndodhet në hapësirat e veta, që është kthyer edhe në pikë turizmi fetar?! Cila atëherë është shpella e vërtetë?

Realisht, meseleja nuk qëndron fare te shpella, as se ku ndodhet ajo! Meseleja nuk qëndron tek pjesa e gurtë e asaj shpelle, por tek mesazhi i saj në jetën tonë! Pse nuk kërkojmë ne për sekretet e asaj shpelle në jetën tonë? Për të parë dhe për t’u dëshmuar madhështia e besimit në All-llahun e Madhëruar në jetën tonë! Që do të thotë se, nëse ti je hak besimtar në Zotin tënd, e don Atë, i përulesh Atij dhe je i bindur në çdo gjë që vjen nga Madhëria e Tij, qoftë në Kur’an, qoftë nëpërmjet të Dërguarit të Tij; çfarëdo lloj vështirësie që të kesh, shtypje, persekutime, vuajtje, etj., dije se All-llahu do të mbrojë e do të ruajë ty, qoftë edhe duke bërë mrekulli në ty, si mrekullia e gjumit të banorëve të Shpellës! Dhe, përtej kësaj, do mbetesh i respektuar dhe i nderuar!

Deri në kijamet do të lexohet për të rinjtë e Shpellës! Prej traditave të Hz. Muhammedit (a.s.) në ditën e xhuma, është edhe leximi i sures “El-Kehf”, drita e së cilës na shkëlqen deri javën pasuese!

Pse nuk pyesim se çfarë është kjo dritë? Është drita e besimit, që duhet ta ruajmë, ta pastrojmë zemrën nga çdo papastërti, që ajo të vezullojë në brendësinë e saj!

(Nga dersi i sabahut, më 22 janar 2020, në xhaminë e Parrucës)