NJERIU është krijuar për të jetuar me dinjitet…

(Reflektim që shoqëron ndrrimin e mbulesës së Qabes së Madhnueshme)

Në këto momente po ndrrohet mbulesa e Qabes së Madhnueshme, në prag të ditës së begatë të Arefatit, që është edhe zemra e adhurimit të Haxhit.

Sa mirë do të ishte që edhe njeriu të përpiqet për të ndrruar jetën e tij, duke u munduar për të ndryshuar drejt më të mirës, besimit e përuljes me zemër e shpirt para duarve të Atij që e krijoi dhe drejt të Cilit do të kthehet!

Shprehja: “Lebbejkall-llahumme lebbejk!”, është fjalia më kuptimplote në jetën e besimtarit! Është madhështor kuptimi i saj: “Të përgjigjem, o All-llah, të përgjigjem!”. Është pa dyshim një moment kthese dhe ndërgjegjësimi, jo thjeshtë një fjalë e thënë, a fjali pas së cilës nuk ka asnjë veprim!

Sonte është natë e madhe! Është nata që i paraprin Ditës së Arefatit, për agjërimin e së cilës, Resulull-llahu (a.s.) thotë se: “… shpresoj në All-llahun, se do të falë gabimet e vitit të shkuar dhe atij që vjen!”, sikurse na ka treguar se: “Nuk ka ndonjë ditë që është më me vlerë tek All-llahu se dita e Arefatit”!

Poashtu, i Dërguari (a.s.) na ka udhëzuar se: “Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arefatit dhe lutja më e mirë që kam thënë unë dhe të dërguarit para meje, është: La ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu, Lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir”, që do të thotë: Nuk ka zot tjetër pos All-llahut, i Vetëm i Pashoq, i Tiji është pushteti, Atij i takon falënderimi dhe Ai është k Plotfuqishëm për çdo gjë!

Prandaj, le të bëhemi gati me dhikër e lutje për ta pritur ditën e Arefatit me agjërim dhe shpresë për t’u zhveshur nga gabimet dhe hutimi, nga paragjykimi dhe thashethemet, nga korrupsioni dhe haramet, nga padrejtësia dhe imoraliteti, nga paniku i propagandave të drejtuara për skllavërimin e njeriut dhe zhveshja nga morali i fesë dhe tabanit të humanizmit!

Le të përgatitemi për të shijuar vërshimet e mëshirës dhe faljes, duke dëbuar shejtanin nga jeta, nga mendimet dhe veprimet!

Le të angazhohemi përherë e më shumë me familjen, fëmijët dhe brezin e ri, të cilët janë amanet, që rrezikon të devijojë e të rrëshqasë në humnerat e katrahurave, ku është katandisur sot raca njerëzore!

Është momenti, që teksa ndrrohet mbulesa e Qabes, të kujtojmë se NJERIU është krijuar për të jetuar me dinjitet, jo në hutim e shthurrje, larg dritës së besimit e fesë!

Mos të hezitojmë të thërrasim drejt vlerave tona, pa asnjë hezitim e ndrojtje, sepse, sikirse është urdhëruar edhe Resulull-llahu (a.s.) në Kur’anin Famëlartë: “Ti kapu fort pas asaj që të shpallet, sepse ti je në rrugë të drejtë!”.

Me zemër të mirë këtë natë të madhe, ditën që e pason dhe bajram paçin zemrat tona dhe mbarë njerëzimi, në çdo ditë që i japim besën e telbijes Zotit tonë, për të shkuar pas Dritës e Dashnisë së Tij!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 29 korrik 2020