
Mekë, 7 tetor 2014.
Pas tavafit të sotëm, pak para ezanit të akshamit, u ula të pushoj diku përballë Qabes së Madhnueshme, në pritje të namazit.
Dikush bri meje më dha selam. Personi në të majtën time ishte një burrë rreth të pesëdhjetave a pak më shumë. Ishte nga Taxhikistani. Quhej Usman, me theks të fortë te shkronja “u” (sipas shqiptimit të tij).
Kur mësoi për mua, emrin, kombësinë, pozitat gjeografike të vendlindjes time, punën etj, Haxhi Usmani (që më drejtohej sa me duar, sa me ndonjë fjalë, aty tek-tuk, arabisht e ndonjë në gjuhën e tij, (si: kartoshka (patate), teksa më tregonte se merrej me bujqësi), sa me celularin e tij, ku herë pas here shkruante shifra, që lidheshin me data e numra të bisedës tonë), nisi të më drejtonte ca pyetje.
Ishin shumë të thjeshta, gati-gati të papritura, por krejt të sinqerta, si bardhësia e haremit të tejmbushur. Ishin pyetjet e dikujt që don të shfrytëzojë edhe ato pak momente për të ditur se kë ka përkrah; një shoqëri për të cilën do të pyetet në ditën e llogarisë.
Para Qabes, një shqiptari i ulet në krah një taxhik, për vendin e të cilit, prodhuesi i “kartoshkave”, nuk kishte asnjë ide.
Dialogu i mëposhtëm ishte i tëri për t’u mbajtur shënim:
Ai: Shqipëria, muslimane?
Unë: Rreth 70%.
Ai: Shqipëria qenka i vetmi vend musliman në Evropë?
Unë: Inshallah.
Ai: Presidenti juaj, musliman?
Unë: Po.
Ai: Hanefi?
Unë: Me siguri.
Ai: Falet?
Unë: Shpresoj.
Ai: E ka bërë haxhin?
Unë: Nuk e di, inshallah i mundësohet ta bëjë.
Ai: Shqipëria, fesad?
Unë: Shumë fesad dhe shumë xhami!?
(vështron habitshëm)
Ai: Si quhet Kryemyftiu i juaj?
Unë: Ne nuk kemi Kryemyfti, kemi kryetar.
Ai: A do lutesh për mua?
Unë: Po, me shumë kënaqësi!
Ndërkohë, teksa ne ishim zhytur në një bashkëbisedim krejt natyral, në të djathtën time ulet një burrë i ri në moshë, Ahmedi. Ishte nga Somalia. I ndriçonte fytyra nga shenja e lotëve. Ishte Hafiz Kur’ani. (më vonë do më thoshte se tradita e hifzit të Kur’anit tek të rinjtë e vendit të tij është shumë e përhapur)
Dialogu zgjerohet:
Unë: Usman, ky është Ahmedi nga Somalia!
Usmani: Somalia? Pirat, pirat! (dhe qesh)
Ahmedi: Ti, musliman?
Usmani: Po.
Ahmedi: Ti, terrorist?
(dhe të tre qeshim brenda etikës së vendit të shenjtë, ku ndodhemi dhe vazhdojmë të flasim, rrethuar me qetësi e paqe vendesh të shenjta)
Pas faljes së akshamit dhe bashkëbisedimit të gjatë, plot shprehje urtësie, me Usmanin dhe Ahmedin, u ngrita të largohem. Kaq ishte. U përshëndeta me të dy. Në fakt, kishte pak emocion kjo përshëndetje…
Nisa të hedh hapat e parë, i shoqëruar nga lutjet me zë të ulët për dy vëllezërit e mi. Vetëm pak hapa larg shkallëve, u ndala për pak dhe ktheva kokën…
Ata ishin aty, tashmë me fytyrë nga Qabja, në lutje. Për një çast hodha sytë nga madhështia e Saj. Ishte edhe më e bukur se para pak minutave, e shtrenjta Qabe! I buzëqesha dhe kapa fillin e lutjeve të lëna në gjysëm. Aty-këtu, djathtas e majtas, kishte edhe të tjerë si puna e jonë. Kushedi se për çfarë flisnin. Kushedi se si kuptoheshin. Kushedi çfarë mësonin nga njëri-tjetri…
E, Qabja, rreth së cilës zhvilloheshin bashkëbisedime të huajsh, të njësuar në Dashninë e qëndrimit para Saj, sa vinte e shtonte bukuri e madhështi…
Ajo, Qabja e tavafeve dhe lutjeve plot prekje vëllazërie islame… Qabja e vlerave të heshtura globale..!
Imam Muhamed B. Sytari