Meditime (27)

Kënaqu me kaderin tënd..!

Çfarë nuk është e jotja, nuk do të bëhet kurrë e tillë, edhe sikur e gjithë bota të ngrihet në këmbë! Atë që të është shkruar do ta gëzosh, e kundërta, kurrë!

Po rilexoja fjalët, me të cilat i Dërguari i Allahut iu drejtua të riut Abdullah Ibn Abas, djalit të axhës së vet: “O djalosh, po të mësoj ca fjalë: ruaje Allahun, të të ruajë; ruaje Allahun, ta gjesh përkrah teje; kur të kërkosh, kërko prej Allahut; kur të kërkosh ndihmë, kërko prej Allahut; dhe dije se, po të mblidhen krejt ymeti për të sjellë dobi diçka, nuk do të sjellin dobi, veçse atë që të ka shkruar Allahu; edhe po të mblidhen për të bërë dëm diçka, nuk të dëmtojnë, veçse çfarë të ketë shkruar Allahu!”, siç e transmeton Imam Tirmidhiu.

Pra, ruaji kufijtë e Allahut në sjelljen dhe aktivitetin tënd, përmende dhe mos e harro Zotin tënd në çdo moment e fazë të jetës, mbështetu në Zotin tënd dhe vazhdimisht kërko prej Tij e lutju me bindjen e përgjigjes dhe, bindu se askush nuk mund të kapërcejë kufijtë e padukshëm të kaderit, drejt të cilit shkon secili prej nesh, duke dëshmuar rezultatin e lirisë së përzgjedhjes së tij për çdo gjë në jetë!

Të pranosh kaderin është rehati për zemrën, qetësim për mendjen dhe dritë optimizmi për të nesërmen!

Dhe, siç e porosiste i Dërguari (a.s), Ebu Hurejrën (r.a): “… dhe kënaqu me atë që të ka caktuar Allahu, të jesh më i pasuri i njerëzve…”, siç e transmeton Imam Tirmidhiu.

Prandaj, mos e prishni gjumin e natës, as rehatinë e ditës, thjeshtë punoni dhe shfrytëzoni mundësitë, duke kërkuar ndihmë e përkrahje nga Krijuesi i gjithësisë, në dorën e të Cilit është mbarësi, suksesi dhe krejt e mira!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 8 qershor 2021