Meditime (30)

Namazi, edukimi fetar dhe të dëshmuarit si halif i Zotit!

Namazi, edukimi fetar dhe të dëshmuarit si halif i Zotit!

Kujtoj bashkëbisedimin e ngrohtë me një nanë besimtare, në Ramazanin e vitit 2014. Ishte iqindi dhe po dilnim nga xhamia e Parrucës, pas hatmes së Kuranit të asaj dite.

M’u drejtua: “Më la mbrëmë një shoqe e xhamisë pa shku në xhami me falë teravinë, se u ngatërruam për orarin e daljes. Vallahi më vjen me qa..!”.

Subhanallah! Fjalët e nanës së moshuar tingëllojnë përherë e më shumë si një tërheqje e fortë e vëmendjes drejt dashnisë së besimtarit dhe lidhjes së tij me namazin, jo thjeshtë si veprim i pavetëdijshëm a rutinë e kahershme, por edhe si një pjesë përbërëse e jetës dhe dëshmi e forcës së kryerjes së tij në kolektiv, si një ftesë e ditur në trashëgiminë e udhëzimeve profetike.

Dhe, meqenëse namazi e largon njeriun nga prapësitë e shthurrja, po aq sa e afron me vlerat e virtytet, koha është që secili të mendojë rreth nevojës urgjente që ka individi dhe shoqëria e sotme njerëzore për formatimin e marrëdhlnies me Zotin, besimin dhe drejtimin e jetës nga e mbara!

Patjetër që në këtë kontekst, namazi është një stacion vendimtar, për kornizimin e tipareve, sjelljeve, karakterit e dëshmimit të njeriut si NJERI në jetë, dmth, si mëkëmbës i Zotit në jetë!

Njeri i ftuar për të ndërtuar e dhuruar mirësi e dritë, durim e tolerancë, dije e urtësi, në rrugën e zhvillimit të jetës mbi baza të shëndosha besimi, dinjiteti, krenarie, ndershmërie, sakrifice, përkushtimi e angazhimi për të dashur për tjetrin atë që duhet edhe për veten, a më e pakta për t’i sjellë tjetrit dobi, sado e pakët a e vogël qoftë ajo!

E kundërta është niveli i atij soji, për të cilin Kurani thotë: “A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet, a mos do t’i bëhesh ti atij mbrojtës? A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshë, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta!” – (Kurani, El-Furkan: 43-44).

Zot na ruaj e na udhëzo!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 28 qershor 2021