Meditime (32)

"Melekët" mbi Qabe...

“Melekët” mbi Qabe…

Në korrikun e vitit 2017 pata shkruar mbi disa pyetje të përsëritura rreth disa “fenomeneve” që mbushin herë pas here faqet e rrjeteve sociale, por jo vetëm, si: “melekët” e “shfaqur” mbi Qaben e Madhnueshme, mbi emrin e Allahut (xh.sh) në ca lëvozhga pemësh e barqe peshqish, “fijet e flokëve e mjekrave” të sa e sa pejgamberëve e sahabëve e gjëra të ngjashme, që i gjen krejt kollaj aty-këtu në postime të mahniturish e predikime që kanë për qëllim të mpijnë mendjen e ta mbajnë peng në kanalizime që shpien në botëkuptimet e ngarkozës intelektuale e shpirtërore!

Ju them përherë, mos lejoni të tallen me intelektin dhe besimin tuaj, me primitivizma të tilla, që ju mbajnë peng mendjen dhe ju robërojnë zemrën, por jo vetëm!

Jo thjeshtë sipërfaqja e Qabes, por shtëpia ku ti banon dhe fal namaz e lexon Kuran, puna ku ti fiton hallallin, vendi ku je tubuar me shoqërinë tënde besimtare, me të cilët ulesh dhe ngrihesh si musliman, hapat që hedh kudo që shkel, teksa gjuha jote madhëron Mëshirëbërësin, vështrimet plot bekim ndaj familjes tënde, përulësia dhe përkujdesja maksimale e plot mëshirë ndaj prindëve, mëshira ndaj jetimit, loja me fëmijët e tu, përkushtimi ndaj punës që ke amanet, sakrifica e madhe për të kërkuar dijen; duke vrapuar pas mexhliseve të dijes, duke shpenzuar për një libër plot dobi, duke u konsultuar rreth një ajeti a një meseleje shkencore në dobi të njerëzimit, shpenzimi për pasurimin e librotekës personale e të ngjashme, krejt këto veprime janë të rrethuara nga mëshira dhe bekimet e Allahut në jetën tënde! Për pasojë, krejt jeta jote është e rrethuar me melekë!

Prandaj, mos të bëhemi folkloristë e sipërfaqësorë në marrëdhëniet tona me besimin dhe bukuritë e tij!

Ne nuk kemi nevojë të na shfaqen “melekë” mbi Qabe, për ta kuptuar e vlerësuar madhështinë e një kibleje, që bashkon krejt muslimanët e botës për të dëshmuar bashkarisht se muslimanët janë forcë ndërtuese në këtë botë; forcë, pa të cilën kjo botë shkon dita-ditës drejt greminave të ateizmit dhe mjerimit që i ka sjellë dhe vazhdon t’i sjellë ai botës, ekstremizmit fetar, abuzimit me logjikën dhe mendjen e njeriut në emër të “fesë” së abuzuar mjerisht, shthurrjes në emër të lirive personale, prishjes së familjes dhe degjenerimit në emër të barazisë gjinore etj.

Forcë, e cila ka ardhur koha të riaktivizohet, pas një shekulli hutim dhe devijimi nga udha e së vërtetës, me të cilën u dërgua Hz. Muhamedi (a.s)!

Forcë bekuese, për të dëshmuar toka shërimin e njeriut dhe kthimin e tij në origjinën e të mirës, pa të cilën kjo tokë po thahet, si lulja pa ujë!

Ne nuk kemi nevojë për peshq me emrin e Madhëruar mbi kurriz, as për fruta me forma harfesh, a re lëvizëse me detaje mistike, për të parë në pasqyrë besimin tonë!

Besimi dhe bindja në Allah, tejkalon këto detaje, para të cilave, të shumtë janë që kanë rënë në grackën e “idhujtarisë materiale”, në emër të Besimit!

Më kujtohet një i moshuar, frekuentues i një prej xhamive të shumta, që kam vizituar gjatë viteve të shërbimit, i cili më tregoi një ditë një gur me ca plasaritje pa asnjë kuptim. Më tha: “E sheh emri i kujt është shkruar mbi të?” I habitur, ia ktheva: Jo, nuk e shoh dhe nuk e kuptoj gjuhën, me të cilën është shkruar!

Zgjohuni dhe ejani në vete, o njerëz!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 2 korrik 2021