Meditime (38)

Matanë, nuk shkon dot si kërmill..!?

Matanë, nuk shkon dot si kërmill..!?

I ngrati njeri, që ka humbur vetveten dhe thelbin e saj..!?

Rendet e rendet, sa në një sokak në tjetrin; shaj një fé, shaj një shtet, hidhu këtej e përdridhu andej, si e si të shtojë edhe një titull në kurorën e titujve e çmimeve kombëtare e ndërkombëtare..!?

Ja, e fitoi edhe më të madhin prej titujve të sojsorollopit të tij!? Ja, u ngjit edhe një shkallë në pozitat e llozhave të së keqes!? Ja, ia shkruan edhe emrin me shkronja të bronzta, të lyera me llak të verdhë, gjoja ar safí!? Ja, edhe kjo.., ja edhe ajo..!?

Po pastaj, në prag të mbylljes së syve, a në grahmat e fundit, a thua do të kujtohet të thërrasë si i mbyturi më i famshëm i historisë së njerëzimit: “Besova se nuk ka zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, edhe unë jam nga muslimanët!” – (Kurani, Junus: 90)

Por, jo..! Matanë, nuk shkon dot si kërmill..! Sepse matanë, ka rregulla e sistem tjetër, ku, pa kaluar mirë pragun të thuhet: “Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve!” – (Kurani, Junus: 91)

Ah, i ngrati njeri dredharak e meskin, që shet veten për pak gjë, në një botë e një hapësirë, që nuk peshon as një krah mize, ndërkohë që për atë krah të papërfillshëm mize, humbet hapësirat e bekimeve, sa: “gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës…” – (Kurani, Ali Imran: 130)

Prandaj, shpejto, o vetja ime drejt thirrjes së shenjtë: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit!” – (Kurani, Ali Imran: 130)

Të tjerat, janë: “Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues!” – (Kurani, El-Hadid: 20)

I ngrati njeri, që ka humbur vetveten dhe thelbin e saj..!?

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 22 korrik 2021