Meditime (39)

Islami folklorik, nuk është feja ime!

Islami folklorik, nuk është feja ime!

Kohë më parë lexoja për një biznesmen kinez, që tregonte se disa tregtarë muslimanë i kishin kërkuar të vendoste emrat e firmave të njohura ndërkombëtare, si etiketë mbi mallrat që blenin prej tij. Të njëjtët, refuzonin ushqimin që u vendoste përpara, sepse nuk ishte hallall!

Shënimet e biznesmenit aziatik, më kujtojnë atë që më pat treguar një miku im, rreth një ndodhie, diku në vendin tonë.

Një i njohur i tij kishte shkuar mik tek ca të afërm. Krejt muslimanë, për nga emrat dhe identiteti fetar shekullor. Bota, Ramazan. Zotëria, agjërueshëm. Të afërmit e tij… Të zotët e shtëpisë e kishin pyetur për të ngrënë. U kishte thënë se ishte agjërueshëm. Ia kishin kthyer: Të paktën pije një gotë..!?

Ngjan me një një batutë province, edhe pse, në fakt është realiteti i shumë rretheve shoqërore, ku Islami ka ngelur thjeshtë etiketë folklorike a trashëgimi emocionale, jo vërtetësi praktike, moral e bosht identitar!

Dhe, për këtë lloj “Islami”, të shumtë janë që shpenzojnë, që të ruhet si relikte e shenjtë, si gjurmë identitare, si monument kulture e “frymë e shenjtë” e “Islamit tradicional”..!?

Për këtë, duhet të bëjmë dallim në mesin e muslimanëve praktikantë dhe muslimanëve folklorikë. Të parët, përpiqen, sakrifikojnë e mundohen në rrugën e tyre, në fenë e tyre, në rehatinë e shpirtit dhe vullnetin e mirë për të ndërtuar në jetë me pastërtinë e natyrshme të zemrës e nijetit.

Të parët jetojnë me Allah e për Allah! Të parët, kur gabojnë, vrapojnë të kërkojnë falje, kur prishin pa vullnet, vrapojnë të ndreqin, kur harrojnë, vrapojnë të korrigjojnë!

Ata e dijnë se nuk janë të përkryer, nuk janë të përsosur, por përherë shpresojnë në mëshirën e Zotit për ta dhe të dashurit e tyre, në këtë botë dhe në të përtejmen!

Ata janë garanci në shoqëri, falin siguri dhe besë, tolerojnë dhe shohin larg, mbrojnë të afërmin dhe nuk tolerojnë prekjen e caqeve të fesë, jetës, mendjes, pasurisë e nderit, sikurse nderojnë të huajin dhe dijnë të ruajnë kufijtë e paqes sociale, për të cilën investohen me shpirt e mund!

Të dytët, janë pragmatistë të hutuar, larg boshtit të fesë e larg kulturës mbi fenë në vetvete. Ajo që dijnë prej saj, (nëse vërtetë dijnë diçka), është: “Kështu i gjetëm baballarët tanë të shkuar”, por jo vetëm…

Të dytët, fenë e kanë element dytësor në jetën e tyre, a shpesh s’e kanë fare pikë referimi në jetë. Për ta, rëndësi ka mirëqenia personale, qoftë edhe në kurriz të harameve e zullumeve ndaj tjetrit! Po gabuan, s’pendohen, po devijuan, s’u bëhet vonë, po shkelën në harame, e kanë përherë një justifikim! Mbi të gjitha, mjafton “zemra e mirë”..!?

Këta, Allahu i udhëzoftë dhe ia ndriçoftë jetën me Dritën e besimit!

Islami folklorik është thjeshtë një shfaqje pa shpirt, pa ngjyrë e që nuk prodhon asgjë; as lëvizje, as frymë, as rizgjim, as rimëkëmbje, as elita shoqërore!

Islami folklorik është asgjë, një model i fjetur, një pasues i dorëzuar, një targë e vjetëruar, që s’hyn as tek trashëgimia e respektuar, sepse çfarë nuk zgjon zemrën e nuk ngacmon mendjen për të jetuar me dinjitet e krenari, nuk meriton të vihet në peshore!

Islami folklorik, nuk është feja ime!

(Në fakt, ka kohë që qarqe të ndryshme botërore, punojnë ditë-natë, që Islami ynë të kthehet në folklor)…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 24 korrik 2021