Meditime (40)

E njëjta që shkruan im bir, sot..!

E njëjta që shkruan im bir, sot..!

Më erdhi në hatër, sot, pyetja që më pat bërë dikush, që shenjtat në fytyrën e tij ngjanin me ato të dikujt, që ka bërë një zbulim të madh e mezi pret të mahnisë me arritjen e tij edhe të tjerët: “A e pe, kishin zbuluar një pjesë nga një Kuran i lashtë, para shumë shekujsh!”.

Unë qesha dhe ia ktheva: Çfarëdo që të zbulojnë nga shkrimet e vjetra të Kuranit, kjo nuk përbën lajm për ne, përveç faktit të zbulimit të një gjurme të lashtë, që merr vlerë për kohën, jo për vetë thelbin e zbulimit, edhe pse, përtej kohës, Kurani Famëlartë ngelet mrekullia e krejt “zbulimeve” të kësaj bote!

Ne besojmë fort dhe vërtetojmë shkencërisht dhe fetarisht se ky Kuran është i njëjti me atë që lexohej e studiohej që në kohën e Hz. Muhamedit (paqja qoftë mbi të)!

I njëjti do të vazhdojë të jetë, deri në fund të kësaj bote dhe krejt jetës në këtë gjithësi!

Mendo për pak, një Libër që për 15 shekuj, nuk ka ndryshuar as edhe një shkronjë në miliona e miliarda kopjet e tij të shkruara, shtypura a kopjuara me dorë!

Një Libër që është komentuar e shpjeguar në një pafundësi vëllimesh dhe, akoma vazhdon, duke u bërë përherë më tërheqës, bashkëkohor, dritë e munguar e balsam i shumëdëshiruar për njeriun dhe jetën mbi tokë!

Kjo është mrekullia e Allahut, Fjala e Tij e pandryshueshme, e pranoi kush e pranoi, e refuzoi kush e refuzoi!

Prandaj, u zbulua një pjesë këtu, a një vëllim i caktuar atje, kjo është thjeshtë dëshmi e përkushtimit të muslimanëve ndaj Librit të shenjtë, për ta shkruar, për ta mësuar e për ta dëshmuar në jetë!

Sot, kam në posedim me dhjetra formate të shkrimit të Kuranit Famëlartë, shumë të vjetra, të vjetra e deri tek botimet më të reja, që përtej tërheqjes së garantuar për stilet, mistiken e përshpirtjen që të falin, në thelb, lënda kryesore e krejt këtyre “versioneve”, mbetet unike, e pandryshuar!

Pra, fjala bie, sureja “El-Fatiha”, me shkrimin e gjyshit tim rahmet pastë, është e njëjta që ka shkruar edhe katragjyshi i tij dhe, po e njëjta që shkruan im bir, sot..!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 26 korrik 2021