Meditime (41)

Vjen një moment dhe kthen kokën pas...

Vjen një moment dhe kthen kokën pas…

Vjen një moment dhe kthen kokën pas… Gjen veten, sa larg, po aq afër.., sa afër, po aq larg dhe, natyrshëm, mbështetur mbi pragun e memories, nis e rreshton fjalitë e para në Ditarin e jetës, që gjithësesi, nuk mund të jetë kurrë Libri, që në të përtejmen do të ballafaqohesh me të, teksa pret në ankth se nga cili krah do të vijë…

Vjen një moment dhe kthen kokën pas… Gjendesh i rrethuar nga një bekim i papërshkrueshëm, dashni dhe përkujdesje, që sado që të mundohesh, s’mund t’ia japësh kurrë vetes, përtej dëshirës e përpjekjeve..; janë Nana dhe Baba!

I mbyll sytë për pak dhe, dëshiron që ai bekim mos të perëndojë kurrë, si diell ndriçues, me lejen e Krijuesit, që në këtë botë na sjell të zhveshur nga çdo dije, nga çdo forcë e krejtësisht nevojtarë për ato prekje të pakrahasueshme e të pazëvendësueshme, në kufijtë e hyjnores..!

Vjen një moment dhe kthen kokën pas… Ka shumë personazhe; të mirë e të dashur, të shtrenjtë e të pakrahasueshëm. Ka edhe të rëndomtë, kalimtarë, që i rrëshqasin memories, që s’e kalojnë as cakun e vëmendjes, të heshtur, por edhe të pallogaritshëm..!

Vjen një moment dhe kthen kokën pas… Shfaqen detaje të ngjarjeve të para në jetë, perceptime, pyetje në orbitën e vetëdijes, ngacmimet e tabanit, thirrja e udhëzimit, shkëndijat e para të besimit, personazhe kyçe, mësues, burra të urtë, edukatorë, Hoxha…

Vjen një moment dhe kthen kokën pas…

Ka shumë të pathëna, ka shumë dritëhije, ka shumë mall e pengje të parealizuara, ka shumë nostalgji rrethuar me një dëshirë të zjarrtë, që më mirë të ngelen në qetësinë e kujtimeve, në heshtjen e pathyer, në mrekullinë e shfaqjes, në errësirën e një guacke, brenda së cilës ka jetë sa për njëqind universe..!

Vjen një moment dhe kthen kokën pas…

Sikurse, vjen një çast dhe s’nguron të vështrosh përtej horizonteve, ku sfida e përballje presin, si pengesa të sforcuara, në një garë të pacaktuar drejt së cilës duhet vërshuar me kokën lart, i pa shkëputur nga drita e së shkuarës e vullneti me të cilin ngrihesh, sa herë bjen, krejt i vetëm, gati-gati i braktisur nga të gjithë…

Vjen një moment dhe kthen kokën pas.., për të kuptuar sa shumë na është dhënë e sa shpejt e humbim ekuilibrin, po të mos jetë falënderimi dhe përulja para të mirave dhe mundësive që na ka dhënë, i qofshim falë..!

Vjen një moment dhe kthen kokën pas…

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 28 korrik 2021