Meditime (74)

Besimi triumfon mbi "idhujtarinë" e shoqërisë!

Besimi triumfon mbi "idhujtarinë" e shoqërisë!

Besimi triumfon mbi “idhujtarinë” e shoqërisë!

Ata ishin një grup të rinjsh besimtarë në një shoqëri idhujtare. Sinqeritetin e tyre në raport me besimin, Allahu i Madhëruar e përjetësoi në Kuran, që lexohet deri në kijamet!

Çdo javë e lexojmë dhe e rilexojmë atë sure të begatë, sipas porosisë së Resulullahut (paqja qoftë mbi të), porse a përpiqemi sadopak të kuptojmë mesazhet që ajo na përcjell, që të mbetemi përherë në shinat e Nurit të premtuar në dëshminë e Pejgamberit (a.s)?

Përse u përjetësua shembulli i të rinjve besimtarë, që nuk e shitën fenë e besën e Zotit përpara hirtësisë së realiteteve të vulosura me idhujtari?

Nga ana tjetër, a mundemi sot, të kapërcejmë hendeqe të ndryshme, me të cilat përballemi në jetë dhe që kanë në thelb prekjen e nervit të besimit e fetarizmit të shëndoshë, që ndërton dhe krijon siguri në jetë?

Dorëzoja veten Allahut dhe mos lejo asgjë në botë ta prekë kalanë e sinqeritetit! Le ta godasin, le ta sulmojnë, por kurrë mos lejo ta mposhtin!

Mos prit shpërblimin a vlerësimin e dikujt prej racës njerëzore për veprën tënde, bëje të mirën për hatrin e Zotit tënd, Atij kushtoja, dhe mos harro se shirku është zullum i madh!

Jeto me besim dhe krijo modele për t’u pasuar me moralin dhe gjendjen tënde, me fjalën dhe mirësjelljen tënde, me korrektësinë dhe aftësitë e tua, me altruizmin dhe bamirësinë tënde, me kurajon dhe vullnetin për të dëshmuar dritën e besimit dhe mrekullitë e tij!

Të rinjtë e “Shpellës”, të përjetësuar në suren “El-Kehf”, mbeten yje udhëzimi në përmbajtjen e forcës së besimit, për çdo të ri e të re, që rrezikohen sot nga idhujtaria moderne, nga shthurrja morale, nga mbytja e kohës, nga eliminimi i pozitës së familjes, nga prishja e ekuilibrave të natyrshmërisë, në të cilën Zoti na krijoi, nga përzierja e koncepteve dhe ndërhyrja zhurmuese në thelbin e botëkuptimeve, duke nisur me atë të fesë..!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Aman, 25 nëntor 2017
Shkodër, 17 tetor 2021