
Mendo mirë për Zotin tënd, lëri njerëzit në botën e tyre!
Problemet e trazimet me të cilat përballemi e kalojmë ditë pas dite, në momente të caktuara na lodhin, na prishin ditën, gati-gati na transformojnë, a na bëjnë të zymtë si qiell me re gri.
Në momente dilemash e ngecjesh në një pikë ku ndërthurren rrugët, shpesh njeriu vrapon të gjejë ngushëllim e të mbështetet tek dikush i besueshëm, i afërt, ndryshe nga të tjerët. Mundohet të heqë sadopak nga barra që ka mbi supe, të këshillohet, të dritësohet, të gjejë pak qetësi e dritë në fund të një tuneli, që duket se është më i gjatë se errësira e natës pa hënë..!?
Dhe kështu, situatat nëpër të cilat kalojmë, na risjellin në hatër nevojën që kemi për dikë në momente të caktuara, por…
Këto mendime më kujtuan një mikun tim damasken dhe urimin e tij të natyrshëm në një ditë xhumaje.
Urimi i mikut tim ishte shumë special. Përbëhej nga disa copëza urtësie dhe optimizmi, që do t’i ndaj edhe me ju, me shumë kënaqësi, në kontekstet e këtij meditime, me të cilin do të mbyll edhe këtë cikël shënimesh të heshtura, mbi të bardhë.
1.
I thanë një beduini: Do të vdesësh një ditë!
Tha: Dhe ku do të shkoj?
I thanë: Tek Allahu i Madhëruar!
Tha: Zatën, nuk kemi parë mirë, veçse nga Allahu! A të frikësohemi nga takimi i Tij?!
2.
U pyet një prej dijetarëve të shkuar: A njeh dikë që i pranohet lutja?
Tha: Jo, por njoh Atë që i përgjigjet lutjeve..!
3.
Një person e pyeti Ibn Abasin, sahabiun e nderuar: Kush do t’i llogarisë njerëzit në ditën e gjykimit?
Tha: Allahu!
Pyetësi thirri me të madhe: Shpëtuam, pasha Zotin e Qabes!
4.
Një i ri u sëmur rëndë dhe, në prag të vdekjes së tij, e ëma nisi të qante.
I tha: O nënë, nëse do ta linin ty në dorë të ma bëje llogarinë, çfarë do bëje me mua?
E ëma, tha: Do të mëshiroja!
I biri ia ktheu: Allahu është më i mëshirshëm me mua, sesa ti, nëna ime!
5.
Duke na treguar një nga momentet e ditës së gjykimit, Allahu i Madhëruar urdhëron në Kuran: “… e para të Gjithmëshirshmit do të ulen zërat…” – (Kurani, TaHa: 103).
Nuk ka thënë: “Para Fuqiplotit”, edhe pse ajo është një ditë e madhe dhe me dëshmi të shumta. Ka thënë: “para të Gjithëmëshirshmit”, duke na dëshmuar mëshirë e shpresë edhe në atë moment, kur krejt zemrat do të dridhen!
Morali i këtyre rreshtave: Mendo mirë për Allahun, mos e humb shpresën në mbështetjen e Tij, vepro më të mirën nga vetja jote në kërkim të dashnisë dhe mëshirës së Tij dhe, përtej krejt situatave: “Mos u bështet në një mur që bie, as në një të gjallë të vdekshëm! Mbështetu tek i Gjalli që nuk vdes kurrë, prej Tij nuk do të zhgënjehesh asnjëherë!”.
Mendo për pak lutjen e Hz. Zekerijasë (paqja qoftë mbi të): “… me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar” – (Kurani, Merjem: 4) dhe lëre botën në botën e saj…
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 21 tetor 2021