“O Njerëzit e Zotit..!”, thirrja e urtë e Hafiz Sheuqet Boriçit… (5)

Këtë cikël studimor, dua ta përfundoj në këtë pikë. Natyrshëm, mund dhe duhet rishikuar e rilexuar. Ka mjaftueshëm mësime e udhëzime, sa për të angazhuar njerëzit e fushës, shumë më shumë sesa ka ndodhur deri më sot me historinë e hoxhallarëve tanë, (që në vështrimin tim, nuk janë studiuar nga njerëzit e duhur dhe, nuk ka dalë në pah madhështia e shpirit të tyre, sidomos në drejtim të edukimit islam dhe mbrojtjes së interesave të ndershme kombëtare)!

Me këtë cikël, kam pasur dëshirë të vazhdoj të shkruaj e të hulumtoj për personalitetet e shquara islame të Shkodrës. (Besoj se në çdo qytet të Shqipërisë ka personalitete të tilla me gjurmë konkrete e kontribute të gjalla, që akoma presin të mos shuhen në heshtje e neglizhencë)…

Hafiz Sheuqet Boriçi, (megjithë gjurmët e pakëta të evidentuara deri më sot, si dhe shkrimet e pamjaftueshme, që nuk e kalojnë kufirin e përkufizimit të detajuar shkencor), besoj se është njëri prej hoxhallarëve elitarë të Shkodrës.

Ndoshta është kjo hytbe, ndoshta ajo që tregonte gjyshi im, rahmet pastë, për zotninë e tij, ndoshta emri i nderuar dhe i respektuar akoma sot, në memorien e besimtarëve, (sidomos, të atyre me flokë të bardha e shpinë të kërrusur)…

Në këtë hallkë të pestë (dhe të fundit për momentin), dua të sjell në vëmendjen tuaj mesazhet e zotnisë së tij, kundër papunësisë, përtacisë, parazitizmit, kamatës, si dhe nxitjes për të jetuar me dinjitet e me frikën e Zotit!

Hafiz Sheuqet Boriçi, thotë: “Zoti e mëshiroftë atë njeri qi largohet prej përtacisë dhe papunësisë, shpëton prej mjerimevet dhe prej të fundosmes në baltë, e kryën plotësisht atë qi i kërkon Edukuësi i botnavet; por të kërkuëmit duhet të jetë me mirësi sikurëse urdhënon A.S.: “Meleqi më fryni e më sugzhectionoi në mendje, qi asnji shpirt s’ka me vdekë pa plotësuë shujtën dhe kohën e fundit të jetës së tij (exhelin). Pra, ndigjoni dhe bahuni të divotshem ndaj Zotit dhe kërkojeni me mirësi.”

Kuptimi i (kërkojeni me mirësi) d.m.th., kërkojeni shûjtën me mirësië, e nuk tha qi mos e kërkoni. Kërkoeni për pa e damtuë fenë, Zoti nuk e bekon nji botë pa fé, sepse, duhet dijtë, se kryët e gjasë së besnikëvet âsht feja, pra duhet t’a mprojë atë me çdo mënyrë; dhe çdo shkak botnuër qi sheh se e damton fenë e tij duhet t’a largojë…

Kaq mund të kujtohet për shkaqet qi e cenojnë fenë, por nuk e rrënojnë dhe nuk e përmbysin prej bazës së saj tanësisht, si për shembëll sendet e ndaluëme ligjisht, si Kamata, qi shumë tregtarë e përdorin këtet tue kujtuë se me këtë mënyrë mund të fitojnë. Kjo, âsht nji cenim i fesë së tyne gjer në fund, dhe âsht frikë për atë njeri, qi vazhdon në kët veprim, për pa iu penduë All-llaht (Xhel-le xhelaluhu)… Zoti na rujtë!

Dijetarët, si Ibn Haxheri në librin “Sherhul-Minhaxh”, thonë se Zoti i Madh, s’ka përmendur në Kuran ndonji mëkat qi të jetë luftë, për të zotin e tij, veç Kamatës…

O robët e Zotit, kini frikë Zotin dhe pranoni këshillat, pendohi te Zoti për keqveprimet, plotësisht, se keqbërësit e mëkatnorët hyjnë në Skëterrë…

H. Sheuqet
Imam e Hatib i xhamisë
Sulltan Bajazit d.v

(Revista “Kultura Islame”, viti 1, fruer-mars, 1940-XVIII, (Muh.-Safer, 1358), nr. 6-7, f. 270-271).

All-llahumme pranoje këtë këshillë të urtë dhe këtë hytbe plot udhëzim e mirësi nga Hafiz Sheuqet Boriçi dhe lartësoje mekamin e tij në ditën e gjykimit, ja All-llah! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 18 gusht 2016