Në vitin 2006, doli në qarkullim monografia me titull: “Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke, që sfidon heshtjen e kohës…”. Zemra e këtij libri, (për të cilin kam punuar me shumë pathos), është ixhazeti, që personazhi kryesor i librit, ka marrë në vitin 1952 nga Hoxha i tij, H. Muhamed Bekteshi.
Sot, kam dëshirë t’i rikthehem kësaj dëshmie historike, që vërteton madhështinë e fesë islame; zinxhirin e trashëgimisë së diturive, brez pas brezi, me një amanet dhe korrektësi të mrekullueshme, që lidh të sotmen tonë me Hz. Muhammedin (a.s), me një saktësi shkencore të pashembullt në histori!
Zinxhiri, për të cilin, Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, në librin e tij: “El-Isnad mined-din”, (botimi i parë, Damask, 1992), ndër të tjera thekson, se: “All-llahu i Madhëruar e ka nderuar këtë ymmet islam muhamedan, me shumë veçori dhe specifika të bollshme… Ndër më të rëndësishmet e këtyre veçorive, është (isnadi) në përcjelljen e sheriatit të pastër dhe dijeve të tij, nga të parët tek të mbramët…” – (f. 11), si dhe: “Transmeton El-Hafidhul-Bagdadi.., se Abdull-llah ibnul-Mubarek ka thënë: “Tek unë, isnadi është pjesë e fesë! Sikur të mos ishte isnadi, do të fliste kush të donte, çfarë të donte! Por, nëse i thuhet: Nga kush e ke marrë këtë dije, do të heshtë!?”…” – (f. 16-17)
Krejt emrat e personazheve të ixhazetit janë lehtësisht të verifikueshëm. Amaneti i kësaj bese nuk humbet asnjëherë. Ndërpritet një degë, gjallërohen dhjetë të tjera! Vdes një hallkë, lindin dhjetë të tjera. Kjo është historia e Islamit tonë, begatia e tij, përshpirtja e një trashëgimie 15 shekullore, që asnjëherë s’u ndërpre, asnjëherë nuk ndërpritet!
Në funksion të këtij shënimi, po sjell një pjesë të hyrjes së ixhazetit të H. Muhamed Bekteshit (1883- 1958), me të cilin u pajisën me dhjetra hoxhallarë shkodranë, deri në fillimin e gjysmës së dytë të shekullit 20.
“Thotë më i përuluri i robëve, nevojtar i mëshirës së Zotit të tij, në çdo kohë, sidomos në kohën e tenâdit*, Muhamedi i Bekrit (Beqirit) të Mahmud Shkodranit, i faltë All-llahu me butësinë e Tij të përjetshme: Më e vlefshmja punë, për të cilën është shpenzuar koha, më i dobishmi ushqim, me të cilin janë ushqyer shpirtrat, më e ndershmja punë, për të cilën është lënë edhe kënaqësia e gjumit dhe më e madhnueshmja gjë, për të cilën kanë vrapuar këmbët është zënia e diturive.
Sepse dituria është dalluesi në mes të ngurtësirave dhe gjallesave dhe sepse pa të nuk i thuhet personit, njeri!
Për vlerën e diturisë ka bërë shenjë edhe All-llahu i Madhëruar, në Librin e Tij Famëlartë, kur thotë: [Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”] – (Kur’ani, Ez-Zumer: 9) dhe thotë: “Pyetni njerëzit e dijshëm, nëse nuk dini” – (Kur’ani, El-Enbija: 7) dhe thotë: “Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve” – (Kur’ani, Ankebut: 43).
Dhe mjafton shenjë e madhështisë së gradës së saj, që All-llahu ka urdhëruar atë që ka arritur dijet e të parëve e të mramëve dhe që i ka kaluar ata me zgjuarsi e kuptim, duke i thënë: [“Zoti im, më shto dituri!”] – (Kur’ani, TaHa: 114).
Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): “Atij që All-llahu ia do të mirën, e bën të ditur në fé dhe i inspiron pjekurinë”. Thotë gjithashtu i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): “Dijetarët janë trashëgimtarë të Profetëve”.
Është e ditur se nuk ka gradë më të lartë sesa profetësia dhe nuk ka nder më të madh sesa nderi i trashëgimisë së kësaj grade!
Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): “Për dijetarin kërkon falje çdokush, në qiej e në tokë, deri balenat në det”. Kush atëherë e ka gradën më të lartë sesa ai, për istigfarin e të cilit janë të angazhuar melekët e qiejve e të tokës, njëkohë që ai është i zënë me veten e tij?”
–vijon, inshallah –
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 22 gusht 2016
__________________
* Fjala tenâd, është përmendur vetëm një herë në Kur’anin Famëlartë, në suren El-Gafir: 32, ku thuhet: “O populli im, unë kam frikë për ju ditën e britmës (të mjerimit)”. Ajo ditë është dita e kiametit, “atë ditë kur jobesimtarët do të thërrasin njëri-tjetrin për ndihmë, nga vështirësia e asaj dite”- Të shihet: Grup autorësh, “El-meusuatul-Kur’anijjetul-mujessere”, botimi i 3- të, Damask, 2002, f. 471.