Në botën e urtësive të Sejjid Ahmed Rifaiut… (2)

Në letrën që i dërgon Shejkh Abdusemi Hashimiut, ndër të tjera e këshillon:

“113. Njohja e All-llahut është në disa shkallë, më e larta e tyre është madhërimi i urdhëresave të All-llahut të Madhëruar!

114. Në mes robit dhe All-llahut është vetëm perdja e hutimit, asgjë tjetër. Ai thotë: “Më kujtoni, t’ju kujtoj!”

128. Shoqërimi me të këqinjtë, budallenjtë, të padrejtët dhe ‘ehli-hasedin’ – (smirëzinjtë), është errësirë e zezë!

135. Kush nuk i peshon fjalët, veprat dhe gjendjen e tij me Kur’an e Synet, në çdo kohë, si dhe nuk kritikon paragjykimin e tij, nuk ka vend në Divanin e burrave tek ne!

137. Ai që drejton veten e tij, tjetërkush do të drejtohet me të! Por, si të drejtohet hija, kur dega është e shtrembër?!

140. Ruaju se mos e sheh gjendjen e thjeshtësisë dhe asketizmin tënd ndonjë gjë!? Uria pa njohuri dhe edukatë Muhammedane, është cilësi nga cilësitë e qenve!

147. Syno All-llahun në jetën tënde! Për të mbërritur drejt Tij kapu pas cepit të rrobës së Resulull-llahut (a.s), Sheriatin e pastër vër para sysh, duke vështruar nga rruga e unitetit!

154. Lavdëroje të mirën, refuzoje të keqen, mos u ul as mos u ngrit, pa përmendur All-llahun! Ndenja jote le të jetë butësi dhe dituri, përkushtim, turp dhe besë! Ulu me të varfrin, ha me të mjerët!

155. Mos u nervozo, mos u bëj arrogant, mos kritiko njeri! Mos fol, vetëm aty ku shpreson të shpërblehesh (të fitosh sevape). Jepi çdokujt që rri pranë teje hakun e tij dhe mos e kurse nga njerëzit mirësinë tënde!

157. Ruaji, gjuhën dhe veshin tënd, nga fjalët e ulëta! Mos e poshtëro shërbyesin, as mos e kthe mbrapsht atë që të kërkon një nevojë, pa e marrë atë, a të ngjashme nga fjalët e ëmbla!

158. Po pate mundësi të zgjedhësh në mes të dy alternativave, zgjidh më të lehtën, nëse nuk është e ndaluar!

159. Përgjigju atij që të kërkon, interesohu për shokët dhe vëllezërit! Fale atë që të ka bërë padrejtësi, mos e kthe të keqen me të keqe! Ngrihu natën dhe qaj në prag të derës, qetësohu vetëm me All-llahun, Ai të mjafton Mbrojtës!

160. Imami ynë, Shafiiu, ka thënë: Ai që dëshmon dobësinë në veten e tij, do të arrijë istikametin, (drejtimin në rrugën e udhëzimit)!” Etj.

All-llahu i Madhëruar qoftë razi me të parët tanë, imamët e udhëzimit, pishtarët e dashnisë së pastër, busullat e drejtimit nga rruga e drejtë dhe e pastër e besimit, pastrimit dhe lidhjes së pandarë me Madhninë e Tij, Zotin e Vetëm të gjithësisë!

All-llahu i Madhëruar e mëshiroftë Sejjid Ahmed Rifaiun, sa i urtë dhe i thellë që ishte…

 

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 maj 2016