Në botën e urtësive të Sejjid Ahmed Rifaiut… (3)

Pas faljes së namazit të jacisë, sonte, teksa dilnim nga xhamia, me disa prej vëllezërve zumë të flisnim mbi dy publikimet e ditëve që kaluan; urtësitë e Sejjid Ahmed Rifaiut.

E vërteta është se në urtësitë e tij ka shumë thellësi mendimi dhe këshilla të vyera, që vlejnë akoma në ditët tona. Janë urtësi që burojnë nga zemra dhe mendja e një dijetari të urtë, e një adhuruesi të thelluar në detrat e dashnisë dhe shkrirjes në All-llah e për All-llah…

Ai ngjan me dijetarë e adhurues të shkuar të shekujve të parë. Ngjan me imamë të mëdhenj të fikhut dhe urtësisë, me asketë e adhurues të shquar e modestë deri në varfëri; me Ebu Hanife Numanin, me Muhammed Idris Shafiiun, (imamin e tij në fikh), me Hasan Basriun e Ibn Tejmijjen, me Ibn Kajjimin e Fudejl ibn Ijjadin, me Xhejlaniun e Ebu Jezidin… Me shumë ngjan e shumë paqe e dorëzim rrezaton Sejjidi Ahmed Rifaiu…

Iu riktheva librit të urtësive të tij. U ndala tek pjesa e fundit e letrës së tij drejtuar Shejkh Abdusemi Hashimiut, bashkëkohasit të tij. Mbyllja e asaj letre është histori më vete. Është shkollë. Është kulm prej kulmeve të thjeshtësisë së të mëdhenjve… Po e ndaj me ju:

“Kjo është këshilla ime, o vëllau im, teksa më ka zënë kënaqësia e mësimit… E kam provuar kohën dhe njerëzit e saj, jam ndeshur edhe me nefsin tim, i kam shërbyer fesë dhe kam përfituar nga shoqëria e njerëzve të mirë, prandaj pranoje këshillën time, sepse ajo është krijuar nga sinqeriteti dhe nga dashnia për ty, inshallah dhe, “Ndodh që dikush bart dije tek një më i ditur se vetja e tij” – (transmetuar nga Tirmidhiu, Ebu Davudi etj.)

O Abdusemi, puno me këshillën time dhe mos më shih si burrë të madh! Nëse dikush të thotë se në mbretërinë e Mëshiruesit ekziston një krijesë më e dobët se ky asgjëja, Uhajmidi, mos e beso!

Por, të them: All-llahu ta lehtësoftë ty dhe mua rrugën dhe na bëftë prej të përzgjedhurve të mirë; të dashurve të All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, “All-llahu na mjafton Mbrojtës”, vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemin”

Ndërkohë, në prag të fjalëve të tij të mbylljes, në këshillën me nr. 199, e porosit: “Kije frikë All-llahun, ajo është ajka e krejt mirësive!”, e një rresht para saj, në këshillën me nr. 198: [Frikësoju All-llahut, frikësoju All-llahut! “Thelbi i urtësisë është frika e All-llahut”] – (pjesa brenda thonjëzave transmetohet nga Bejhekiu në “Esh-Shuab”, nga Ibn Mesudi)

E lexoj dhe e rilexoj këtë fragment. Nuk gjej fjalë ta përshkruaj, veçse më shtohet respekti dhe vlerësimi për shembullin e Sejjid Ahmed Rifaiut; dijen e tij, urtinë, dashninë, frikën, shpresën, dorëzimin…

Në fjalët dhe gjurmët e tij preken gjurmë të traditave dhe urtësisë, që burojnë nga Hz. Muhammedi (a.s); “Gjyshi i çdo të përkushtuari!”.., Gjyshi i tij…

Imam Muhamed B. Sytari 
Shkodër, më 2 maj 2016