Transmetohet nga Zejd ibni Eslem, që thotë: Po kërkoja për komentin dhe domethënien e ajetit: “ata që ecin në tokë me butësi” – (Kur’ani, El-Furkan: 63.), por nuk gjeta aq sa të më bindë, kur pashë në ëndërr dikë që erdhi dhe më tha: “Janë ata, që nuk duan të prishin rendin në tokë!”] – (Imam Et-Tahir ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. I 19-të, f. 88-89)
Mendoj se kjo fjali përkufizon më së miri personalitetin e muslimanit/ëve dhe tiparet karakteristike të bashkësisë së muslimanëve në të gjitha etapat e tyre historike… Si të thuash: Muslimanët? – Janë ata, që nuk duan të prishin rendin në tokë!
Në këtë pikë, dua të ndalem tek disa lexime, që lidhen me marrëdhënien e muslimanit me jomuslimanin, në formën e fetvave, drejtuar dijetarit të shquar egjiptian, Shejkh Muhammed Ebu Zehra (1898-1974), të mbledhura më pas në një botim voluminoz nga Dr. Muhammed Uthman Shubejr, me titull: “Fetavash-Shejkh Muhammed Ebu Zehra”, botimi i parë, Damask, 2006.
Pyetje: A i lejohet muslimani përcjellja e xhenazes së kitabive dhe jokitabive? – (Kitabi, quhen pasuesit e Librave të shenjtë; të krishterët dhe jehudët. Nga fjala: KITAB, në arabisht: Libër)
Përgjigjja: “Lejohet përcjellja e xhenazes së dhimmiut (të krishterit a jehudiut) dhe ngushëllimi i familjes së tij, gjë të cilën e kanë bërë shumë prej tabiinëve, në krye të tyre vaizi i Irakut, Hasan Basriu.”
Pyetje: A lejohet t’i kthehet selami një të krishteri, nëse të thotë: “Es-selamu alejkum”?
Përgjigjja: “Lejohet t’i kthehet selami një të krishteri, sepse All-llahu (xh.sh) thotë: “Kur të përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju kthejeni përshëndetjen edhe më të mirë, ose thjeshtë kthejeni.” – (Kur’ani, En-Nisa: 86.)
Pëlqehet që kthimi i selamit të jetë i njëjtë e, nëse shtohet edhe “ve rahmetull-llah”, konsiderohet si lutje për udhëzim në Islam.”
Pyetje: Nëse një i krishterë i kërkon ndihmë një muslimani, a i lejohet muslimanit ta ndihmojë?
Përgjigjja: “Të shpëtosh një të krishterë është vaxhib (detyrim) fetarisht, sepse kemi të bëjmë me një njeri, që All-llahu ka urdhëruar ta shpëtojmë. I krishteri në mesin tonë konsiderohet si pjesë e njerëzve të mbojtjes (ehludh-dhimme), të cilëve ua ka mbrojtur All-llahu shpirtin dhe pasuritë!”
Ndërkohë, shumë interesante është edhe përgjigjja e dijetarit të shquar nga Halebi i Sirisë, Shejkh Mustafa Zerka (1904-1999), që i jep fetva të gjatë një studenti sirian në Francë, i cili i ankohet Hoxhës së nderuar për ushqimin me mish atje dhe kufijtë e lejueshmërisë.
Ndër të tjera, Hoxha i ditur, i shkruan: “4. Nëse nuk ke dëshirë, blej nga mishi i tregtuar nga jehudët, sepse ata e presin kafshën njësoj me rregullat e ligjit islam…” – (Mexhd Mekki, “Fetava Mustafa Zerka”, botimi i dytë, Damask, 2004, f. 217.)
Normalisht, fetvatë e lartpërmendura janë zhvilluar në Egjipt dhe një rast specifik në Francë, por shpirti i tyre është i vlefshëm për çdo musliman, sepse vlerat universale islame e shoqërojnë muslimanin kudo qoftë, si shembull në kërkimin e rrugëdaljeve më të mira, bazuar në dituri, përkushtim, korrektësi shkencore, harmoni dhe modele qytetëruese!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 6 maj 2016