Mbrëmjen e sotme, më 7 maj 2016, në Damask të Sirisë ka ndërruar jetë njëri prej Hoxhallarëve të mi të dashur, Shejkh Ahmed Raxhih, ez’heristi i urtë, dijetari karizmatik, gojëmbli, zemërmadhi, i thjeshti, njeriu praktik, largpamësi, besniku e vizionari…
Thirrësi i shquar islam dhe përhapësi me urtësi e largpamësi i Fjalës së All-llahut, gjithandej nëpër botë, si në: Afrikën e Jugut, në Qipro, në Amerikën e Jugut, në Evropë, pa përmendur periudhat e ndryshme në vendet arabe e veçanërisht në Universitetin e Damaskut, si pedagog në Fakultetin e Sheriatit, në xhamitë e ndryshme të kryeqytetit sirian, në radio e televizion, por edhe si autor librash me vlerë, ligjërues në konferenca shkencore ndërkombëtare etj.
Në librin e tij: “Ca fjalë për thirrësit islamë”, ka një shprehje, me të cilën i drejtohet imamëve dhe teologëve të rinj, thirrësve islamë: “Në krye të herës dhe fillimisht, thirrësi islam duhet të çlirohet nga vesveset e shejtanit, që nuk kanë fund. Pastaj të pastrohet nga sjellja e keqe dhe e ulët. Pastaj mund të nisë të interesohet për shkencat e fikhut, haditjit, tefsirit e vendimeve islame!”
Hoxhën e dashur e kam njohur para shumë vitesh në Damask. Kur ai dilte në kursinë e dersit, të gjithë gëzoheshin pa masë… Dikush për trajtimin e veçantë e të natyrshëm që i bënte vaseve, dikush tjetër për prakticitetin e tij në komunikim, shembujt nga jeta e përditshme, eksperiencat e shumta, dritën e argumentit… (Në një prej ligjëratave të tij, teksa i kishin kërkuar të fliste për muslimanët nëpër botë dhe eksperiencat e tij, ai duke buzëqeshur, ndër të tjera thotë: “Kam takuar në jetën time muslimanë, që nuk dinë gjë tjetër nga feja e tyre veç shprehjes: “Selam alejkum”, sikurse kam marrë në provim në katedrat e universiteteve më të mëdha islame, studentë arabë, që teksa i kërkoja të lexonin sures “Jasin”, e nisin kështu: “JES”…”)
E kujtoj një herë, pas përfundimit të dersit, dikush e pyeti me një letër të shkruar: “Na fol pak për veten!” Ai qeshi dhe menjëherë u përgjigj: “Si urdhëron! Unë quhem Ahmed Abdulfettah Raxhih. Kur isha një ditësh, baba im, rahmet pastë, më solli te Shejkh Emin Keftaro, i cili më vuri emrin dhe më lyu buzët me një hurmë të ëmbël. Prandaj, fjalët i kam të ëmbla! Unë jam vëlla me Shejkh Ahmed Keftaron!”
Kush nuk buzëqeshte e përfshihej nga një transparencë emicionesh, kur te dera e xhamisë shfaqej Shejkh Ahmed Raxhih, që niste të binte ikamet me zë të lartë, nga momenti i hyrjes në xhami e deri sa mbërrinte te mihrabi, edhe pse nuk ish muezin i xhamisë… Në fakt, ai ishte muezin, imam, vaiz, hatib; të gjitha së bashku dhe, nuk e ekzagjeroj teksa e bëj këtë konstatim!
Kam mësuar shumë prej tij dhe përherë e kam konsideruar si një urë lidhëse të kohës sime me shekujt e kaluar; në përkushtim, dije, shpirt, zemërgjerësi, urti e largpamësi…
Sonte, që mësova për ndarjen e tij nga jeta, jam mërzitur shumë, ndonëse jeta e kësaj bote është kalimtare dhe nuk e kundërshtojmë kaderin e Zotit. Lutem me zemër që All-llahu i Madhëruar ta mëshirojë, ta falë, t’ia bëjë varrin kopësht prej kopshteve të xhennetit e, të na bashkojë me zotninë e tij në xhennetet e Tij, pranë Resulull-llahut (a.s), Mësuesve tanë, Edukatorëve, njerëzve të mirë e ndërtuesve të vlerave të Thirrjes së Tij! Amin!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 7 maj 2016