
Në prill të këtij viti, pata publikuar për herë të parë disa shënime nga dorëshkrimi origjinal i dijetarit shkodran, Hafiz Ymer Bakalli (1880-1953) me titull: “LARGIMI I ERRËSIRËS RRETH NGRITJES NË KËMBË NË MOMENTIN E PËRMENDJES SË LINDJES SË PROFETIT (A.S)”, shkruar në vitin 1368 h./1948 g., në gjuhën arabe.
Në atmosferën e begatë të përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), kam kënaqësinë të ndaj me ju disa shënime nga dorëshkrimi në fjalë, që paraqet mendimin e Hoxhës, H. Ymer Bakalli rreth kësaj teme.
“Dije se përkujtimi dhe festimi i datave të mëdha përkujtimore, përsëritja e kujtimit të tyre dhe madhërimi i mirësive të mëdha, është ndihmesë drejt kryerjes së obligimit të falënderimit, si dhe argument se atij që i është dhënë kjo mirësi, e vlerëson atë siç duhet. Në fenë tonë të pastër ka shembuj të ndryshëm rreth kësaj teme. P.sh., kur vijnë dy festat e mëdha, Festa e Fitrit dhe ajo e Ad’hasë, koha e secilës prej tyre lidhet me një mirësi të madhe nga All-llahu për robët e Tij.
Festa e Fitrit vjen pas muajit Ramazan, në të cilin u zbrit Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë, dallues i të vërtetës nga gënjeshtra. Ndërsa Festa e Ad’hasë vjen pas ditës së Arefatit, në të cilën ka zbritur ajeti kur’anor: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fé.” – (Kur’ani, El-Maide: 3.)
Mjafton ky fakt për të kuptuar mirësinë e këtyre dy ditëve, vlerën e të cilave e mohon a e nënçmon veç ndonjë i privuar nga mëshira e All-llahut; mirësia e zbritjes së Kur’anit dhe ajo e plotësimit të fesë!
Poashtu, siç duket qartë se urtësia e përcaktimit të ditës së Ashurasë me kërkesën për shtimin e adhurimeve, si: agjërimi, sadekaja, vizitat farefisnore, përkujdesja ndaj jetimëve dhe fukarave etj, lidhet me ditën në të cilën All-llahu ka shpëtuar Musain nga Faraoni dhe populli i tij, nxori Junusin nga barku i balenës dhe u ndalua anija e Nuhut mbi Xhudijj, siç transmetohet. Dhe kështu, shumë shembuj nga mirësitë e All-llahut ndaj të dërguarve dhe të përzgjedhurve të Tij. Mirësia e Tij ndaj tyre është mirësi për mbarë krijesat, tek të cilët dërgoi të dërguarit e Tij, mëshirë dhe udhëzim për ta.
Dhe prej mirësive më të mëdha, me të cilat All-llahu i Madhëruar mbuloi ymmetin islam, madje mbarë botën, është mirësia e Tij e shfaqjes së Dritës Muhammedane * dhe Lindjes së më të përzgjedhurit të All-llahut në krijesat e Tij, të cilit, i Madhëruari iu drejtua me thënien e Tij: “Ne nuk të dërguam ty, vetëm se mëshirë për mbarë botët.” – (Kur’ani, El-Enbija: 107.)
Prandaj, është e domosdoshme për muslimanët, në lindje të botës e në perëndimin e saj, ta dijnë vlerën e kësaj dite të lumtur, duke vepruar çdo gjë që lidhet me format e madhërimit dhe respektimit, për të kryer obligimin e falënderimit ndaj Krijuesit të Madhëruar, për këtë mirësi të madhe!
Dhe, nëse Profeti (a.s) nuk ka shtuar në këtë muaj prej adhurimeve, më shumë se në muajt e tjerë, kjo është nga mëshira e tij (a.s) për ymmetin e tij dhe butësia e tij ndaj tyre. Sepse ai (a.s), e linte veprimin e një pune, nga frika se mos i obligohej ymmetit të tij, mëshirë prej tij ndaj tyre, siç e përshkruan edhe Zoti i Madhëruar në Librin e Tij, ku thotë: “për besimtarët, i butë dhe i mëshirshëm.” – (Kur’ani, Et-Teube: 128.)
Megjithatë, Profeti (a.s) ka sinjalizuar për mirësinë e këtij muaji të madh, nëpërmjet fjalës së tij drejtuar pyetësit që e pyeti rreth agjërimit të ditës së hënë, të cilit iu përgjigj: “Ajo është një ditë në të cilën kam lindur…” – (Muslimi, nga Ebu Katade El-Ensari (r.a).)
Pra, nderimi i kësaj dite përfshin edhe nderimin e këtij muaji, në të cilin ka lindur.”
——————–
* Ndoshta, me këtë nënkupton ajetin 15 të sures El-Maide, ku All-llahu i Madhëruar i drejtohet pasuesve të Librave të mëparshëm: “O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Jonë që ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk jep sqarime. Juve ju erdhi nga All-llahu dritë, dhe libër i qartë.” Në komentimin e kësaj pjese, Imam Tabariu thekson: “Me dritë, nënkupton Muhammedin, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të, me të cilin All-llahu ndriçoi të vërtetën, shfaqi Islamin dhe rrafshoi shirkun. Sepse ai është dritë për këdo që ndriçohet me të, sqarues i të vërtetës…”- Për më shumë të shihet: http://quran.ksu.edu.sa/tafseer/tabary/sura5-aya15.html (M.S.)
Përktheu nga arabishtja, përshtati në shqip
dhe pajisi me shpjegimet anësore
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 dhjetor 2016