“Kush nuk zë mend nga mësimet e së shkuarës…”

Ngjarjet e Halebit, ato të Sirisë së shtrenjtë, veçmas, por edhe përreth saj gjeografikisht, në këto dekada të fundit, janë sinjale për mbarë ymetin islam.

Historia është e mbushur me momente dhembjeje, shkatërrime, luftra e abuzime me lirinë, të drejtën, mendimin, fenë, humanizmin, pasurinë etj., që njeriu ia ka shkaktuar vëllasë së tij njeri!?..

Por, teksa vështroj ngjarjet e ditëve të fundit në Siri, aty ku po përqendrohet edhe opinioni mbarëbotëror, më vjen ndër mend një fjalë e urtë arabe, që thotë: “Kush nuk zë mend nga mësimet e së shkuarës, nuk mund të kuptojë të sotmen, as ta parashikojë të ardhmen!”

Realisht mendoj se, bota islame ka shumë nevojë sot, të bëjë llogaritë e historisë së vet, me vetë veten, (individ e shoqëri), pozitat legjitime mbi bazat e besimit dhe vetëdijes islame, raportet me të sotmen dhe sfidat e saj, si dhe pozitat e mundshme në një të ardhme, në ballë të së cilës shkruhet: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita…”!

Sa jemi të vetëdijshëm ne muslimanët për këtë proces hyjnor dhe rolin tonë në të, kjo është një çështje që na takon të gjithëve ta mendojmë e ta reflektojmë, teksa përpiqemi të lexojmë e kuptojmë Halebin dhe historinë tonë…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 dhjetor 2016