“Mos u dëshpëro, All-llahu është me ne!”…

“Kush është i lumtur e kush më i lumtur?

I lumtur: Ai, që është me All-llahun!
Më i lumtur: Ai, që All-llahu është me të!
Puno për të parën, të arrish të dytën!”

I lexova këto rreshta në një shënim në twitter, në një profil që trajton çështje të “Historisë sonë të madhërishme” islame.

Më kujtoi shqetësimin e madh të Hz. Ebu Bekrit (r.a), në shpellën Theur, kur së bashku me të Dërguarin (ju bëfshim fli), po fshiheshin nga ndjekja e mushrikëve mekas, në ndodhinë e famshme të Hixhretit të Madh.

Resulull-llahu (a.s) i tha vetëm një fjali: “Mos u dëshpëro, All-llahu është me ne!”… Dhe, errësirat e tendencave arrogante të cënuesve të Paqes, Mëshirës, Humanizmit dhe Dritës së të Vërtetës, u bënë Dritë!

Dhe shirku, injoranca e idhujtarisë dhe abuzimi me fenë e Zotit, nga ajo ditë u vulos me dështim, deri në ditë e kiametit!

“Mos u dëshpëro, All-llahu është me ne!”… Ky është sirri i mosthyerjes sonë përballë krejt pabesive, hileve, arrogancës dhe tendencave inkuizitore, me të cilat përballemi thuajse çdo ditë, sidomos në këto “ditë mekase”, që përjetojmë si Ymmet!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 26 dhjetor 2016