Dikush-dikush…

“U zgjove nga gjumi, sheh me sy, dëgjon me veshë, lëviz natyrshëm, merr abdes… Këto janë mirësi shumë të mëdha, pasi Ai të lejoi të jetosh edhe një ditë të re, të pajisi me shëndet dhe të lejoi ta përmendësh emrin e Tij!”

Ky konstatim i bërë nga edukatori dhe thirrësi i shquar islam, Dr. Ratib En-Nabulsi, në të vërtetë është një reflektim i hollë, i përditshëm, një ftesë për ta jetuar jetën si dhunti e Krijuesit, si një mundësi më shumë në përgatitjen për rrugëtimin e të përjetshmes.

Njeriu harron shpejt! Harron se nuk ishte asgjë, pastaj u bë dikush. Erdhi në këtë botë pa u pyetur, por nuk u la në huti. E gjeti botën të zhurmshme, të rrumujshme, por shenjat e udhëzimit i kishte me vete në trupin e tij, në qiell, në tokë, në çdo gjë përreth tij… Ato shenja ende vazhdojnë të sinjalizojnë se kjo botë e ky univers, me krejt perfeksionin e tij prej qindra mijëra vitesh, nuk mund të jetë rezultat i rastësisë!?

E, pikërisht Ai Krijues i gjithëpushtetshëm, që e bëri vdekjen kufi të pashmangshëm për racën njerëzore; Ai Krijues i krejt këtij universi pa mangësi; Ai Zot i gjithëdijshëm, që s’ka lindur prej kujt, as ka lindur kush prej Tij, që nuk ia ka askujt dhe asgjëje nevojën dhe që të gjithë i jemi krijesa; Ai Zot na e jep këtë mundësi të re çdo ditë, kur hapim sytë..!

Dikush i hap sytë, pa asnjë reagim. Dikush, sa hap sytë vrapon drejt dyerve të falënderimit, duke u pastruar me abdes e duke u drejtuar me fytyrë nga kibla, për dy rekate-Dritë…

Dikush-dikush…

La ilahe il-lall-llah..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 30 mars 2017