“Muhamed! Mbaje kryt nalt!”…

Para se të pranoja këtë detyrë që kam sot, jam këshilluar gjatë me Hoxhën, rahmet pastë. Më pat bindur ta pranoj përgjegjësinë dhe, për një moment, me atë timbër të mrekullueshëm e të papërsëritshëm të zanit të tij, më tha: “Muhamed! Mbaje kryt nalt!”

H. Vehbi Gavoçi, sot nuk jeton më, është larguar nga kjo botë duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në jetën time. Shembulli i tij, fjala e tij, vështrimet e tij, këshillat e tij, buzëqeshjet e tij, letrat e tij, veprat e tij, pastërtia e tij, zëri i tij, qeshja e tij ma zë, nuri i tij, kanë perënduar me të në sytë e mi. Nuk e zë më njeri vendin e tij!

Kështu, të dashurit e mi, në post a jashtë tij, në detyrë zyrtare a jashtë saj, lutem me zemër që All-llahu i Madhëruar të më japë mbarësi e krenari të qëndroj në BESË!

Kurrë se kam parë veten si kulm; as në dije, as në përkushtim ndaj Zotit, as në përkushtim ndaj Thirrjes së Shenjtë Islame, as në shërbimet ndaj vendit tim, as në përkushtimet ndaj prindëve, familjes, fëmijëve, miqësisë e vëllezërve të Besës! Por, për diçka jam krejt krenar dhe i qetë me veten: Nuk kam gënjyer, as kam mashtruar, as kam prerë në besë njeri në këtë rrugëtim vlerash e krenarie legjitime!

Kam falur, edhe kur kam pasur mundësi ndëshkimi! Kam heshtur, edhe kur kam pasur mundësi përgjigjeje! Kam kthyer kokën me sytë përpara, edhe kur kam dëgjuar e lexuar broçkulla province e zigzage laramanësh.

Dhe, këtë vazhdoj ta bëj me shumë dinjitet e kënaqësi, sepse vite e vite më parë, kam dhënë një fjalë e kam lidhur një besë, të cilën s’e thyej për asnjeri në botë, për asnjë cytje a tundim, nga kushdo qoftë e çfarëdo qoftë!

“Muhamed! Mbaje kryt nalt!”,- ky zâ më mban dhe atij i jam përgjigjur, sa të jem në këtë botë të shkurtër!

All-llahu ju dashtë e ju pastë në mbrojtje!

All-llahu na zgjoftë nga gjumërat e hutimit dhe na dhuroftë dije, urti e forcë karakteri për të jetuar me dinjitet e pastërti si muslimanë ndërtues në jetë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 maj 2017