Kështu na mësuan Hoxhallarët tanë, yjet ndriçues të këtij njerëzimi!

Asnjëherë mos u ndalni me seriozitet dhe detaje që zgjojnë urrejtje e përçarje në mesin e muslimanëve, tek deklaratat, komentet a reagimet emocionale prej adoleshenti, të kujtdo që humbet ekuilibrin mendor dhe shpirtëror për shkak të cënimit të interesit të ngushtë, a për shkak të ambicies personale, mbi bazën e së cilës mund të ketë ndërtuar jetën!

Hoxhallarët na kanë mësuar se, në të dy rastet kemi të bëjmë me përpjekje për të triumfuar fanatizmin dritëshkurtër, që ne Kur’anin Famëlartë qortohet me të madhe!

Dhe, të vërshosh drejt mbrojtjes së fanatizmit dritëshkurtër plot krenari dhe mburrje, do të thotë se je i paedukatë, i paformuar, tekanjoz i sëmurë, manjak i dëshpëruar, pa bosht edukate shpirtërore e fetare, edhe nëse pretendon ditë e natë se i përket botës së besimit dhe fesë, siç tërhiqte vëmendjen e banorëve të Bagdadit i madhi Sejjidi Abdulkadir Xhejlani.

Fundja, krejt ne të racës njerëzore jemi të mangët, plot gabime e rrëshqitje, që nëse i konstatojmë dhe i pranojmë, duke u përpjekur t’i korrigjojmë, i kemi bërë një shërbim të madh vetes dhe shoqërisë.

Si të thuash, të gjithë pa përjashtim jemi të ftuar të hyjmë në Hiranë e edukimit të nefsit dhe perfeksionimit të rrugëtimeve të saj drejt pastrimit dhe veshjes me virtyte e cilësi të larta, siç mësuam nga ajka e papërlyer e racës tonë!

Tek ne në Islam, ka dy detaje të rëndësishme në këtë rrugëtim; fillimisht domosdoshmëria e mësuesit edukator, Hoxhës; së dyti, durimi dhe sakrifica në këtë rrugëtim fisnik, deri në frymën e fundit!

Prandaj, Hoxhallarët tanë, yjet ndriçues të këtij njerëzimi, përherë na edukuan të merremi me veten dhe të mos e lëshojmë gjuhën në hak të tjerëve dhe të metave a gabimeve të tyre.

E, nëse e bëjmë këtë, do dëshmonim ruajtjen e amaneteve të më të mirëve e më fisnikëve! E kundërta, do ishte një rrëshqitje flagrante, që do dëshmonte se, sado që mund të jemi rritur në moshën biologjike dhe pozitat e përkohëshme të kësaj bote, (të merituara dhe të pamerituara), kemi mbetur ende të vegjël dhe fatkeqësisht, shumë e shumë mësime nga Hoxhallarët tanë, nuk i kemi kuptuar e përvetësuar s’i duhet.

Gjithësesi, përtej adoleshencës dhe nxitimit, emocioneve të çastit dhe formimit të cekët, përherë tek ne në Islam ka shpresë dhe kthim me vetëdije dhe ndërgjegje të qetë drejt udhëzimit të Hoxhallarëve, që trashëgojnë të Dërguarit e All-llahut!

Kështu na mësuan Hoxhallarët tanë, yjet ndriçues të këtij njerëzimi!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 25 qershor 2018