Kjo fé është Jeta, për krejt ne dhe Njerëzimin..!

Këtë Islam e ruan i zoti, edhe po ia kthyem shpinën ne, muslimanët! E ruan dhe e gjallëron në zemrat e brezave të denjë për të, edhe nëse ia kthejmë shpinën, duke mos u dëshmuar të denjë për të në realitete hipokrite e të mjegullta, pa taban e pa karar!

Kjo fé ka nevojë të dëshmohet, jo të flitet për të, si të ishte bisedë e rëndomtë që konsumohet nga xhamia deri në kafenetë e përditshme! “Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: “Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i All-llahut!” E, All-llahu e di se ti je i dërguar i Tij, por All-llahu dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë (kur thonë ashtu)”, thuhet në Kur’anin Famëlartë!

Nuk mjafton të mësohet përmendësh të thuhet: “Besova All-llahun, melekët e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij…”; këtë e thotë edhe ai papagalli që qarkullon në rrjetet sociale duke kënduar “Fatihanë”!?

Kjo fé është Feja, përtej fjalëve të shumta e përtej propagandave të njërit a tjetrit; përtej shoqatave-“fé” a “feve”-shoqata; aktrimeve mediatike a jargavitjeve politike; përtej krizave institucionale a delireve mbytëse, që fiken sapo mbyllet një burim a ndizen kur hapet një tjetër!?

Kjo fé është fé e njerzillekut, fé e mëshirës, fé e dashnisë së pastër, fé e zemrës së dlirtë, fé e drejtësisë, fé e mendjes së pjekur, fé e çlirimit nga komplekset e idhujtarisë, fé e ndriçimit të zemrës dhe qetësimit të saj me dritën e përmendjes së vazhdueshme të të Vetmit Zot, që është i Gjallë e nuk vdes, që nuk ka të ngjashëm, që është i Përhershëm pa fillim, i Përhershëm pa mbarim, për të cilin dëshmojnë argumentet logjike, para atyre teologjike!

Kjo fé është feja e moralit, që sot është përdhosur e flakur tutje edhe në altaret e propagandave mbytëse të dritës së mendjes e ndriçimit të zemrës në emër të idhujve modernë!?

Kjo fé është feja e familjes, ku Baba dhe Nana qëndrojnë në piedestalet më të larta të një bote të nurtë, ku pas adhurimit të Zotit renditet respekti dhe përulja ndaj Prindëve, deri në atë gradë sa jemi ndaluar t’u themi edhe “uf”, teksa jashtë kësaj bote, prindi edhe poshtërohet, edhe lihet pas dore, edhe hidhet në azil, edhe përçmohet, edhe vritet..!?

Kjo fé është feja e dijes, ku dijetarët krahasohen me të dërguarit e Zotit, ku dija peshohet me florinj, ku për dijetarin kërkon falje çdokush në këtë ekzistencë e, ku dijetarët vijnë të tretët, pas Zotit dhe melekëve të Tij, në shkallën e Dëshmive të mëdha për mbarë botët!

Kjo fé është feja e dashnisë për tjetrin atë që duhet për veten; e dashnisë së udhëzimit për të ardhshmin e për tjetrin deri në gradën e lutjes: “All-llahumme udhëzoje popullin tim se nuk dijnë!”, kur të kanë gjuajtur e refuzuar me përbuzje e fyrje meskine; e dashnisë që të bën më të dashurin e krijesave të Zotit tek Zoti, teksa mundohesh me dashni të ndihmosh e të përkrahësh dikë prej krijesave të Tij, kushdo qoftë ajo krijesë!

Kjo fé.., nuk ka nevojë për mua as për ty! Kjo fé është Jeta, për krejt ne dhe Njerëzimin, sidomos në kohëra kur mjegulla e idhujtarisë, hipokrizisë dhe krizave të identitetit, është lartësuar deri në kupë të qiellit, është shitur për pak famë e është blerë për pak mashtrim të egos së zhytur në batakun e pavetëdijes dhe mungesës së udhëzimit, drita e të cilit, gjithësesi është vetëm në dorën e Poseduesit të saj!

Dyert e alternativave islame janë të hapura për pendim e kthim, o populli im!

Imam Muhamed B. Sytari 
Shkodër, 25 shtator 2018