Amaneti i Resulull-llahut (a.s.) lexohet akoma sot..!

Si sot, dy vjet më parë ndërroi jetë axha im, Bashkim H. Sytari. Akoma sot, e kujtoj për vetitë, shpirtin dhe karizmën e tij, që e karakterizonin. Dhuronte paqe e fytyrë të qeshur, edhe në dhimbjen e tij! Me këtë imazh u largua nga kjo botë, duke na krijuar boshllëk, që në momente të caktuara, as kujtimet për të s’e mbushin dot..! Ishte dhe mbeti më i madh se kujtimet e mira që la pas vete!

Po vështroja foton e tij dhe pa harfet e kësaj bote, në mes nesh u zhvillua një bashkëbisedim i gjatë, mbështetur mbi pragun e memories, kohëve që shkuan e që më nuk kthehen në këtë botë. Folëm e folëm dhe, pasi u ndamë, u ula të shkruaj këto rreshta.

T’i duam njerëzit sa janë në mesin tonë, të dhurojmë e të marrim dashamirësi, të lutemi për njëri-tjetrin e mos ta zvogëlojmë hapësirën e zemrës, që Zoti e krijoi sa një univers!

Edhe ça se të ngeli hatri? Edhe ça se dikush të tha një fjalë? Edhe ça se nuk të foli? Edhe ça se nuk të ftoi? Edhe ça se nuk ta përmendi një të mirë, që i ke bërë? Edhe ça..?!

Krejt meseleja mbaron tek këto fjalë-amanet: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do hyni në xhennet, për pa besuar! Dhe, nuk do arrini plotësinë e besimit, për pa u dashur në mes vete! A t’ju tregoj për diçka, që po e vepruat do të duheni në mes vete? Përhapni paqen në mes jush!”

Selamin me gojë, paraprirë nga paqtimi i zemrës, paqtimi i mendimit, paqtimi i fjalës; fjalës së mirë, që të fal dinjitet dhe të lartëson në shkallët e përgjigjes fisnike ndaj Ftesës hyjnore: “Dhe, njerëzve t’u flisni me mirësi!”.

Para 15 shekujsh, kur i Dërguari i All-llahut (a.s.) jepte një porosi, një udhëzim a këshillë, të gjithë e dinin se, ato ishin dhunti e bekim për ta. I merrnin, i praktikonin në mes vete, duke i kthyer në virtyte, pastaj i përhapnin tek të tjerët, dukë shpërndarë të mirën kudo, me besim në madhështinë e saj!

Prandaj, amaneti i Resulull-llahut (a.s.) lexohet akoma sot, si një dritë udhëzimi, që na mbron nga devijimi: “Përhapni paqen në mes jush!”.

Pyete veten, a është në gjendje ta shtrijë dorën për t’i dhënë besën Resulull-llahut..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 10 dhjetor 2018