Resulull-llahu (a.s.) i do të mirën njerëzimit!

Kur Resulull-llahu (a.s.) urdhëron pasuesit e tij: “Më i miri i njerëzve është më i dobishmi i tyre për njerëzit!”, do të thotë se, Resulull-llahu (a.s.) i do të mirën njerëzimit! Do të thotë se, Islami i do të mirën njerëzimit! Do të thotë se, Islami prodhon dhe formon njerëz që janë garanci për një jetë të mbushur me vlera!

Kur muslimani edukohet që në moshë të vogël për të qenë i dobishëm për jetën dhe për tjetrin, do të thotë se ka akoma shpresë në këtë botë!

Prandaj, sot më shumë se asnjëherë, duhet të kapemi fort pas fesë tonë, pas Kur’anit dhe traditave të Hz. Muhammedit (a.s.), që na udhëzojnë drejt më të mirës e më të drejtës! Jo të shkojmë pas thirrjeve paradoksale të atyre që na duan larg fesë tonë dhe që përpiqen të na thonë se, Islami është shkaku i të keqes! Islami nuk ka qenë ndonjëherë shkak për të keqen, që të jetë sot!?

Përveç hadithit të dobisë ndaj njerëzimit, ju ftoj të lexojmë edhe dy momente interesante nga udhëzimi i Hz. Muhammedit (a.s.), i cili na porosit: “Nëse është duke u bërë kijameti dhe, në dorën e ndonjërit prej jush ka një fidan, le ta mbjellë atë!”. Subhanallah!
Si mund të mbillet një fidan, kur është duke u shkatërruar gjithçka?

Pra, një ymet, që është edukuar për të bërë mirë e për të sjellur dobi edhe në çastet e fundit të jetës mbi tokë, a mund të pritet sherr prej individëve të tij, që e kanë kuptuar drejtë udhëzimin dhe shpirtin e kësaj feje?

Poashtu, Resulull-llahu (a.s.) na porosit dhe na tregon se: “Besimi është shtatëdhjetë e ca degë. Më e larta e tyre është thënia ‘La ilahe il-lall-llah’, ndërsa më e papërfillshmja e tyre është largimi i diçkaje të dëmshme nga rruga!”. Pra, edhe një ferrë të vogël e të dëmshme për kalimtarët, nëse e heq nga rruga e tyre, ti do të shpërblehesh për këtë veprim tek All-llahu i Madhëruar! Subhanallah!

Tani, merrini këto tre hadithe, bëjini së bashku dhe ofrojani shoqërisë! Do ndikojnë për ta bërë më të mirë, apo më të keqe atë! Përse nuk mendojmë pak!

Dhe, për ta mbyllur, Resulull-llahu (a.s.) udhëzon: “Mos e zhvlerëso asnjë të mirë, qoftë edhe duke e takuar vëllanë tënd me fytyrë të qeshur”!

(Nga dersi i sabahut, më 20 nëntor 2019, në xhaminë e Parrucës)